Visar Ymeri

Vetëvendosje Distancohet nga Qëndrimi i Zyrtarit të Saj për Izraelin

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar rreth deklaratës të një zyrtari të saj rreth Izraelit, e cila ka ngjallur debate dhe reagime të ndryshme në vend.

Kryetari i VV-së, Visar Ymeri ka thënë se statusi i Visar Korenicës, i shkruar më parë për Izraelin, as nuk paraqet qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, as nuk është i drejtë dhe as i pranueshëm.

“Ai nuk përkon me konceptin politik të Lëvizjes, ky i fundit i bazuar në parimet e të drejtave universale të barazisë e bashkekzistencës paqësore mes popujve. Mospajtimi me politikën e caktuar shtetërore nuk guxon të eskalojë në thirrje për zhdukjen e një shteti. Secili popull ka të drejtën e tij ta organizojë jetën kolektive në liri e barazi, dhe assesi e asnjëherë duke ia cenuar këto të drejta një populli tjetër”, ka shkruar Visar Ymeri në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

Më tutje, Ymeri tregon se Visar Korenica i është bashkuar VV-së këtë vit me ç‘rast edhe ka kandiduar për kryetar të Rahovecit.

“Ka kërkuar falje dhe ka thënë që nuk mendon ashtu. Ka theksuar që deklaratën e tij e ka dhënë nga zemërimi momental dhe se ajo nuk paraqet qëndrimin e tij”, ka shtuar i pari i Vetëvendosjes.

Rreth deklaratës së Korenicës ka reaguar sot edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Kam përcjell me shqetësim deklaratat antisemitizmi për zhdukjen e shtetit të Izraelit. Deklarata të tilla janë thellësisht ofenduese dhe të papranueshme”, shkroi Thaçi nga Nju Jorku, ku po qëndron në margjina të takimit të përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Shteti i Izraelit dhe populli hebraik ka mbështetur Kosovën në të gjitha periudhat”, tha Thaçi.

Ai ka ftuar të gjitha institucionet, partitë politike dhe shoqërinë civile që të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndaj popujve dhe shteteve të tjera.

“Një gjuhë e tillë është kundër kulturës dhe traditës sonë”, tha Presidenti Thaçi.

Ndërsa, vetë Visar Korenica në një intervistë dhënë KTV-së mbrëmë ka kërkuar falje për deklaratën.