Ministri Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Vendimet e ‘Fshehura’ të Ministrit të Arsimit Publikohen së Shpejti

Mandatari i ri në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë disa vendime ekzekutive të përfolura publikisht mirëpo të papublikuara si dokumente.

Ministri i Arsimit që mori mandatin në muajin shtator dhe tashmë ka kaluar 100 ditëshin e qeverisjes nuk ka publikuar asnjë vendim të marrë për këtë kohë, raporton KALLXO.com

Në uebfaqen  zyrtare të MASHT-it, në sektorin e vendimeve të ministrit figuron se vendimi i fundit është marrë më 23 gusht të vitit 2017, pra në mandatin e ministrit të kaluar, Arsim Bajrami.

I pyetur nga KALLXO.com, këshilltari i ministrit, Valmir Gashi tha se arsyeja për mospublikimin e vendimeve ka qenë mungesa e personelit.

“Personi që e mirëmban ëebfaqen e MASHT-it ka qenë vend bosh, para një jave është plotësuar, kështuqë tani jemi duke i grumbulluar vendimet dhe shumë shpejt do të dalin”, tha Gashi.

Ai u zotua se publikimi i vendimeve të ministrit do të jetë brenda javës.

“Është çështje ditësh”, tha Gashi.

KALLXO.com do të monitorojë përmbushjen e këtij zotimi përmes verifikuesit të fakteve të çertifikuar ndërkombëtarisht KRYPOMETRI.