Vdes Jonuz Musliu

Sot gjatë ditës ka vdekur Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Preshevë.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë një i afërm i tij në rrjetin social Facebook.

“Njoftojmë familjen e gjerë, farefisin, shokët dhe miqtë, invalidët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Institucionet e Shqipërisë, të Kosovës dhe institucionet, pjesën shqiptare të Maqedonisë dhe Malit te Zi, se ka ndërruar jetë sot në spitalin e Edirnes së Turqisë, Kryefamiljari ynë, Bashkëshorti e Babi Ynë Jonuz Musliu!”,ka shkruar në Facebook Shqipërim Musliu.

Ngushëllime familjes i ka shprehur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Me dhembje mora lajmin për vdekjen veprimtarit të shquar Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Jonuz Musliu dha një kontribut të vazhdueshëm për avancimin e të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Jonuz Musliu po ashtu dha kontribut në procesin e çlirimit të Kosovës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Musliu”, shkroi Thaçi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Musliu ishte i përkushtuar për zgjidhje të drejtë të çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Me dhembje mora lajmin për shuarjen e luftëtarit të lirisë, ish komandant i UÇMPB-së dhe Kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu. Musliu, një jetë njeriu i është përkushtuar zgjidhjes së drejtë të çështjes së shqiptarëve në Luginë, luftëtar i paepur i të drejtave të njeriut, mik dhe familjar i mirë, do t’i mungojë familjes së tij, dhe komunitetit”, tha Haradinaj.

Jonuz Musliu ka qenë duke u trajtuar në Turqi nga një sëmundje që vuante.