Shqiptarët e Luginës Kërkojnë Konsultime me Prishtinën

Kreu i Kuvendit të Kosovës ka pritur sot në takim drejtues të komunave dhe të partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilët kërkuan konsultime politike për çështje të caktuara.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, pas takimit deklaroi se nga Kadri Veseli ka kërkuar një sinkronizim të punëve të përbashkëta.

“Ajo që ne sot potencuam me kryeparlamentarin është mungesa e një sinkronizimi të punëve të përbashkëta që do të duhej të ishin dhe që është një mungesë që zgjatë për më shumë se 1 vit, mungesë që shpeshherë na shkakton telashe kur kemi nevojë për konsultime të caktuara rreth temave politike”, tha Kamberi, duke shtuar se kanë marrë premtime se institucionet e Kosovës do të jenë më të angazhuara për çështjen e shqiptarëve atje.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, vlerësoi se problemet në Kosovë dhe në Preshevë nuk janë të njëjta.

“Problemet nuk janë të njëjta si në Kosovë dhe atje, sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës ende kanë probleme të pazgjidhura që nga lufta e fundit në Luginë të Preshevës, pasivizimi i vendbanimeve që po ndodhë, tekstet mësimore të cilat nuk po u lejohen nxënësve shqiptarë në Luginë, lëvizja e lirë, investimet… e të gjitha këto i biseduam me kryetarin e Kuvendit dhe mbetëm që së shpejti të ulemi dhe të krijojmë një strategji të përbashkët”, u shprehë para mediave Jonuzi.

Ndërsa krejt më vonë në Kuvend u pa edhe kreu i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, i cili kishte ardhur ndaras prej Musliut e Kamberit.

Por, kryetari i Bujanocit dha një arsye pse ata nuk kanë ardhur së bashku.

“Nuk jemi të ndarë, sepse Presheva dhe Bujanoci kanë hyrje të ndryshme për në Kosovë. Ne kemi kaluar rrugën për në Gjilan por edhe ata, mirëpo në një hyrje tjetër dhe dendësia e komunikacionit nëpër Kosovë, mungesa e autostradës për në Luginë të Preshevës, sjellë edhe deri të këto vonesa”, u arsyetua Shaip Kamberi.