Rakip Avdyli | Foto: Kallxo.com

Thirrja për Sulm Terrorist Ndaj Kosovës Përfundon me 10 Muaj Burgim

Me dhjetë muaj burgim ka përfunduar njëri nga rastet e mëdha të terrorizmit gjatë këtij vit. I arrestuar në mes të prillit 2017 Rakip Avdyli është dënuar me dhjetë muaj burgim nga Gjykata e Pejës pas një procesi të shpejtë gjyqësor.

Avdyli, i cili u arrestuan në prill të 2017-ës akuzohej se nëpërmjet rrjeteve sociale bëri thirrje për xhihad në Kosovë. Më pak se tre muaj pas arrestimit Avdyli ka shprehur keqardhjen e tij në Gjykatën e Pejës duke pretenduar se nuk dinte për pasojat e veprimeve të tij.

Burri sipas vendimit të Gjykatës së Pejës për veprimet e tij do qëndrojë për 10 muaj në burg, ndërsa do paguajë 100 euro për shpenzimet e gjykatës.

Në seancën e cila është mbajtur pak orë para shpalljes së vendimit të gjykatës, Avdyli fajësinë e pranoi pasi iu lexua aktakuza nga prokurorja, Merita Bina-Rugova dhe  pas konsultimit me avokatin e tij mbrojtës, Sefer Morina.

“Po, e pranoj veprën, po nuk e kam bërë me qëllim. E kam kuptuar që është ndesh me ligjin kur jam arrestuar, edhe jam penduar për veprën”, tha i akuzuari.

Sipas aktakuzës, Rakip Abdyli si përkrahës i organizatës terroriste “ISIS” për disa muaj përmes internetit ka bërë thirrje që në emër të xhihadit të kryhen sulme terroriste, kundër Qeverisë së Kosovës dhe ambasadave ndërkombëtare.

Prokurorja Merita Bina- Rugova gjatë leximit të aktakuzës tregoi se çfarë ka thënë Avdyli në një incizim me titullin “Në Tokën e Shqiponjave do të Vijë Hilafeti”.

Në këtë incizim, sipas prokurores  Avdyli bën thirrje për sulme vetjake e në grupe, duke kërkuar të kapen armët për të sulmuar qeverinë dhe ambasadat.

 

http://kallxo.com/pranon-fajesine-per-shtytje-ne-vepra-terroriste/