Rakip Avdyli | Foto: Kallxo.com
Apeli ia Rrit Dënimin Rakip Avdylit
Gjykata e Apelit e ka vlerësuar të butë dënimin prej 10 muajsh që Gjykata Themelore në Pejë në nëntor të vitit të kaluar i kishte shqiptuar Rakip Avdylit, i akuzuar për shtytje në kryerjen e veprave terroriste.
Kësisoj, ankesa e Prokurorisë është miratuar nga kolegji i Apelit dhe nga 10 muaj burgim dënimi Avdylit i është rritur në 18 muaj burg.
Si rrethanë për ngritjen e dënimit Gjykata e Apelit ka përmendur mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe përsëritjen e veprimeve derisa është zbuluar nga policia, vendosmërinë e të akuzuarit për kryerjen e kësaj vepre.
“Vendi dhe rrethanat nën të cilat është kryer, janë të natyrës të atillë që paraqesin intensitet të rrezikshmërisë shoqërore dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit më të lartë, ndaj të cilit me një dënim aq të butë nuk mund të arrihet qëllimi i dënimit”, thuhet në vendimin e Apelit.
KALLXO.com ka raportuar javë më parë për seancën e mbajtur në Gjykatën e Apelit ku Avdyli ka thënë se nuk ishte qëllimi i tij që të destabilizonte vendin teksa ka shprehur pendimin e tij.
Gjykata e Apelit gjeti se edhe pse i akuzuari e ka pranuar fajësinë, ka shprehur pendimin për veprën e kryer, më parë nuk ka qenë i gjykuar, është mbajtës i familjes dhe me gjendjen të vështirë ekonomike, dënimi i shqiptuar nga Gjykata në Pejë ishte i butë.
KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht lidhur me ecurinë e këtij rasti ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.