Hashim Thaçi në konferencë | Foto: KALLXO.com

Thaçi: S’ka Demokraci pa të Drejta të Qytetarëve

Presidenti Hashim Thaçi tha sot se nuk do të ketë demokraci të mirëfilltë nëse nuk garantohen të drejtat e qytetarëve.

Presidenti Hashim Thaçi tha se  Kosova ka mekanizma të mjaftueshëm institucionalë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve pa dallime etnike a fetare dhe se tani është i nevojshëm forcimi i tyre.

NDËRLIDHUR

Në hapje të konferencës “Të Drejtat e Njeriut dhe Integrimi i Grupeve të Margjinalizuara në Kosovë”, Thaçi theksoi se Kosova për shkak të represionit dhe luftës ka ngecur në tranzicionin e këtyre të drejtave dhe tani është duke i zhvilluar ato.

“Nuk do të ketë demokraci të mirëfilltë dhe sundim të ligjit nëse qytetarëve nuk u sigurohet respektimi, mbrojtja dhe zbatimi i të drejtave të tyre. Shoqëria kosovare po kalon nëpër disa tranzicione: atë ekonomik, shoqëror e kulturor. Diskriminimi, represioni dhe lufta i kanë penguar këto tranzicione, tani është koha t’i vazhdojmë ato dhe të ecim përpara,” tha Thaçi.

Ai shtoi se për integrimin e grupeve të margjinalizuara dhe respektimin e të drejtave të njeriut duhet të punojë e gjithë shoqëria, ngase sipas Thaçit “Kosova është atdheu, shtëpi e të gjithëve”.

Kurse Colleen Hyland nga ambasada amerikane tha se gjithëpërfshirja në shoqëri është e drejtë e garantuar në gjithë botën, porse grupet si LGBT, gratë, pakicat, vazhdojnë të përballen me pengesa dhe paragjykime në shoqëri.

Ajo përmendi edhe Projektligjin për Liritë Fetare që tha se do t’i garantojë ato kur të miratohet.

“Përfshirja po ashtu nënkupton të drejtën për të jetuar, prandaj dëshiroj të shpreh përkrahjen për Projektligjin për të Liritë Fetare që është hartuar në bazë të rekomandimeve të komisionit dhe është në Kuvend momentalisht. Ky ligj për liritë fetare i rregullon të drejtat fetare dhe do të ndihmojë të rinjtë në këtë drejtim,” tha zyrtarja e ambasadës Hyland.

Për të drejtat e njeriut dhe qytetarinë aktive u fol edhe në një tryezë të organizuar të martën.

Aktivizmi-Ngushtimi i Hendekut mes Partive dhe Shoqërisë

Redaktoi: Bekim Muhaxheri

08 Dhjetor 2016 - 14:33

Dorentina Kastrati 08/12/2016 - 14:33
NDËRVEPRIMI0

Thaçi: S’ka Demokraci pa të Drejta të Qytetarëve

by Kallxo
NA NDIQNI