Thaçi: Liberalizimi, Çështje Orësh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se rekomandimi i i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën është çështje orësh.

Komentet e Thaçit u bënë sot gjatë një takimi me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, një ditë para se Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s të votojë për pranimin e Kosovës në këtë asociacion.

Thaçi tha se këto dy ngjarje po përkojnë në të njëjtën kohë dhe se kjo është “një koincidencë pozitive për Kosovën”.

“Kosova ka kryer të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Është çështje orësh dhe se ka qenë një vonesë e panevojshme nga ana e Brukselit”, tha Thaçi.

“Mund të them se Kosova ka zbatuar të gjitha kriteret e nevojshme për rekomandimin e vizave nga Brukseli. Prandaj dua të potencoj procesi për liberalizimin e vizave për Kosovën tani më është duke i numëruar ditët dhe javët, por mund të themi se është duke i numëruar orët. Ky është një lajm  mirë, është histori e re për Kosovën edhe UEFA edhe liberalizimi i vizave”, tha Thaçi.

Mediat e huaja kanë raportuar gjatë fundjavës se rekomandimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të bëhet të mërkurën.

Në vitin 2010, Thaçi kishte premtuar liberalizimin e vizave deri në mesin e vitit 2011.