Pesë vjet nga vdekja e njeriut që pavarësoi futbollin e Kosovës

Pesë vjet më parë, Fadil Vokrri, legjenda e futbollit të Kosovës dhe atëherë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk arriti t’i mbijetojë sulmit në zemër dhe vdiq në moshën 57-vjeçare në QKUK.

Vokrri do të mbahet mend si njeriu që pavarësoi futbollin e Kosovës duke e anëtarësuar Kosovën në UEFA dhe FIFA në vitin 2016.

Ikona e futbollit kosovar, emrin e të cilit e mban edhe stadiumi i Kosovës, kishte lindur më 23 korrik të vitit 1960, në Sfeçël të Podujevës.

Karrierën e tij futbollistike e nisi në vendlindje të KF Llapi duke luajtur si qendër sulmues duke e bartur numrin 9 mbi shpatullat e tij. Falë paraqitjeve të mira, Vokrri në vitin 1980 iu bashkua Prishtinës.

Te Prishtina, qëndroi për gjashtë vite, duke bërë super paraqitje të mira te kryeqytetasit. Vokrri sa ishte pjesë e “plisave”, kërkohej nga shumë skuadra, por ai vendosi që të ndërroj ambient në vitin 1986, duke iu bashkuar Partizanit të Beogradit.

Si te Prishtina, edhe te serbët e vazhdoi formën e mirë ylli kosovar nga Podujeva. Në vitin 1987, gjiganti italian, Juventus, bëri ofertë për Vokrrin, por ai ishte duke e kryer shërbimin ushtrak të obliguar dhe kjo u bë pengsë që t’i bashkohej “zonjës së vjetër”.

Te Partizani, qëndroi vetëm tri sezone, pasi në vitin 1989, u transferua te skuadra franceze, Nimes.

Aventura e tij te skuadra franceze, Nimes, nuk zgjati shumë, pasi iu bashkua gjigantit turk, Fenerbahçe.

Për Fenerbahçen për dy sezoni i bëri 43 paraqitje, duke i shënuar 13 gola dhe 16 asistime në Superligën e Turqisë, kurse në Kupën e Turqisë, i luajti tri ndeshje duke e shënuar një gol.

Në vitin 1992 u kthye në Francë te skuadra e Bourges, ku qëndroi për një sezon.  Në vitin 1993, iu bashkua skuadrës së Montluçon Foot, në të cilën e përfundoi karrierën e tij si futbollist në vitin 1995, si 35 vjeçar.

Vokrri, po ashtu e prezantonte edhe Kombëtaren e ish-Jugosllavisë, debutimin e tij me këtë kombëtare e bëntë më 12 shtator të vitit 1984, sa ishte pjesë e Prishtinës. Ai i bëri 12 paraqitje për ish-Jugosllavinë duke kontribuar me 6 gola.

Fadil Vokrri, pas pensionimit nga futbolli aktiv, qëndroi në Francë me familjen e tij, duke ushtruar zejen e trajnerit.

Legjenda kosovare u kthye në Kosovë, më 16 shkurt të vitit 2008, u zgjodh për herë të parë si kryetar i FFK-së, ai qëndroi për tri mandate në krye të FFK-së.

Ikona e futbollit kosovar, ishte njëri prej njerëzve më meritor për pranimin e Kosovës në UEFA dhe në FIFA, në vitin 2016.

Kështu kishte deklaruar Vokrri, pas pranimit të Kosovës në UEFA.

“Ky është një moment historik. Duam t’i bëjmë njerëzit bashkë brenda dhe jashtë fushës”, kishte thënë Fadil Vokrri.

Pranimin në UEFA ia panë hairin klubet Superligës së Kosovës në futboll, pasi mund të garojnë për pjesëmarrje në dy garat më të mëdha europiane siç janë Liga e Kampionëve dhe Liga e Europës.