Nga takimi i korrikut 2017 Thaçi- Vuçiq. Foto: BE

Thaçi i Gëzuar që Vizita e Vuçiqit Përfundoi pa Asnjë Incident

Presidenti Thaçi ka komentuar vizitën e homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq në Kosovë.

Thaçi beson se shumë shpejt Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë dialogun ndërshtetëror, siç shkruan ai, në nivelin më të lartë politik.

“Më vjen mirë që edhe homologu nga Serbia, gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës, ka theksuar disa herë rëndësinë e dialogut, si rrugën e vetme për normalizim dhe pajtim. Prandaj, unë besoj që shumë shpejt do të vazhdojmë dialogun ndërshtetëror në nivelin më të lartë politik, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të përkrahur fuqishëm nga SHBA-ja”, ka shkruar presidenti i vendit në “Facebook”.

Sipas Thaçit, vizita e Vuçiqit, që u mbyll pa asnjë incident, tregon pjekurinë e qytetarëve tanë.

“Duke përjashtuar disa nga deklaratat populiste, të cilat janë pothuajse të pashmangshme në vizita të tilla, vizita e homologut nga Serbia u përmbyll pa asnjë incident. Kjo sjellje civilizuese dhe tolerante dëshmon pjekurinë tonë qytetare dhe shtetërore. Toleranca dhe mirëkuptimi duhet të mbesin parime udhëheqëse edhe kur janë në pyetje marrëdhëniet ndërshtetërore në rajonin tonë”, ka shkruar Thaçi.

Në 6 paragrafë sa ka shkruar presidenti Thaçi për këtë çështje, asnjëherë nuk i është referuar në emër presidentit Vuçiq, por me fjalën “homologu nga Serbia”.

KALLXO.com sot gjatë ditës shkroi që Vuçiq e ka kaluar natën në Kosovë, ani pse takimet që i kishte paraparë në agjendë i kishte përfunduar dje.

http://kallxo.com/vuciq-e-kaloi-naten-ne-kosove/

KALLXO.com nuk ka arritur të konfirmojë se për çfarë arsye Vuçiq e ka kaluar natën në Kosovë ose me kë është takuar gjatë kësaj kohe.

Presidenti i Serbisë gjatë ditës së djeshme zhvilloi shumë takime, ku kaloi nga veriu në jug dhe dha shumë mesazhe.