Edita Tahiri, Ministre për Dialog

Tahiri: Refuzova të Bisedonim për Trepçën në Bruksel

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, thotë të ketë refuzuar të bisedojë për çështjen e Trepçës në Bruksel.

Në kryeqytetin evropian delegacioni kosovar i drejtuar nga ministrja Tahiri ka diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Mirëpo, sipas Qeverisë, pala serbe ka tentuar ta shtrojë si pjesë të bisedimeve edhe çështjen e Trepçës, gjë që është refuzuar nga pala kosovare.

“Pala serbe tentoi ta ngrisë në këtë takim edhe çështjen e Ligjit për Trepçën të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ministrja Tahiri refuzoi kategorikisht tendencën e palës serbe për të biseduar për këtë temë, sepse Trepça është aset dhe pronë e Kosovës dhe si e tillë nuk e bisedojmë me askënd”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Në takim është biseduar edhe për arrestimin e nënkolonel Nehat Thaçit, ku sipas komunikatës së Qeverisë ministrja Tahiri ka kërkuar nga BE që të angazhohet për lirimin e tij.

“Ministrja Tahiri po ashtu e përsëriti kërkesën e lirimit të z. Nehat Thaçi, duke thënë që Serbia nuk mund dhe nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Kosovës dhe se kjo sjellje e Serbisë po e dëmton edhe vet procesin e dialogut të Brukselit”, thuhet po ashtu në në komunikatë.