UP Shpalli Konkursin për Studentë të Rinj

Provimi pranues pritet të mbahen më 19 dhe 21 korrik 2017 ndërsa pranimi i dokumenteve për studentët e rinj do të fillojë nga dita e hënë, 10 korrik 2017.

Kjo qe bërë e ditur në mbledhjen e rregullt të Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të mbajtur të premten.

“Ne nesër do ta shpallim në ëeb faqen konkursin për pranimin e studentëve të rinj, mirëpo pranimi i dokumenteve të tyre do të fillojë ditën e hënë sepse të shtunën ne mund të mobilizohemi t’i pranojmë dokumentet mirëpo bankat nuk punojnë dhe paraqet probleme për t’i kryer pagesat”, tha rektori i UP-së, Marjan Dema.

I pari i UP-së kërkoi që konkursi për pranimin e studentëve të rinj të jetë real dhe transparentë dhe të pranohen ata që e meritojnë.

E gjatë kësaj mbledhje nuk munguan edhe kritikat e senatorëve drejtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vonesa në këtë konkurs.

Dekani i Fakultetit Filozofikë, Bujar Dugolli tha se nuk e kupton se si kjo ministri nuk kthen përgjigje dy apo tri javë për çështjet e konkursit.

“Vonesat na shkaktojnë edhe probleme tjera sepse edhe administrata edhe stafi kanë obligime. Mendoj që nuk është një menaxhim i duhur kur shkon koha”, tha Dugolli.

Këtu pati përgjigje Rektori i UP-së Marjan Dema duke thënë se gjatë ditës së sotme, ky institucion ka pranuar vendimin e MASHT-it për konkursin e pranimit të studentëve të rinj.

“Kësaj radhë është vonuar, sot e morëm vendimin. Nëse nuk na kish ardhur sot vendimi është dashur ta marrim vendimin i cili është publikuar në media”, tha Dema.

Pas shumë kërkesave të senatorëve për të ditur më shumë rreth këtij konkursi, sekretari i UP-së, Esat Kelmendi tregoi në detaj për datat e mbajtjes së këtij konkursi.

“Më 10 korrik do të jetë pranimi i dokumenteve, më 19 dhe 20 korrik do të jetë provimi pranues. Deri më datën 22 korrik do të jetë afati për shpalljen e rezultateve preliminare. Po ashtu nga data 24 deri 25 korrik do të jetë afati i ankesave dhe më datën 26 korrik do të jetë rezultati”, tha sekretari Kelmendi.

Po ashtu gjatë kësaj mbledhje u bë e ditur, që studentët e rinj duhet të kenë dokumente origjinale gjatë aplikimit. Dokumentet e dublifikuara lejohen në rast se humben dokumentet origjinale dhe kjo vërtetohet përmes një dokumenti të policisë.