Foto: KALLXO.com

Shtyhet mbledhja e Senatit, Parlamenti Studentor: Provimet mos të organizohen para 15 qershorit

Parlamenti Studentor, bashkë me shumicën e studentëve senatorë dhe me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, kanë njoftuar se janë pajtuar që mbledhja e nesërme e Senatit, e paraparë që të mbahet në mënyrë virtuale, të shtyhet për të premten dhe të mbahet në mënyrë fizike.

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në pajtueshmëri me Këshillet Studentore të FM-së, FNA-së, FIEK-ut, FShMN-së, Fakultetit të Filologjisë, Fakultetit të Edukimit, Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Arteve, FBV-së, FEFS-it dhe shumicës së studentëve senatorë, thotë se ka arritur në përfundim që janë vetëm dy opsione të pranueshme dhe prej tyre të vendoset për më të favorshmën.

“Vetëm kështu mendojmë se ruhet procesi i vlerësimit dhe përmbylljes së vitit akademik, pa u dëmtuar studentët. Meqë afatet tashmë të shpallura si: afati i prillit, afatet e absolventëve dhe vlerësimet periodike (kolokviumet) nuk janë mbajtur”, thuhet në njoftim.

Këto janë dy propozimet e Parlamentit Studentor:

Propozimi I: 1. Provimet nuk lejohet që të organizohen para datës 15 Qershor, 2. Mbajtja e afatit plotësues të Qershorit deri me dy provime, 3. Mbajtja e afatit të rregullt të Qershorit, 4. Mbajtja e rregullt e afatit të Shtatorit, 5. Mbajtja e afatit plotësues të Shtatorit deri me dy provime, 6. Të shtyhet fillimi i vitit të ri akademik për dy javë në mënyrë që organizimi i provimeve të mos interferojë me vitin e ri akademik.

Propozimi II: 1. Provimet nuk lejohet që të organizohen para datës 15 Qershor, 2. Mbajtja e afatit të rregullt të Qershorit, 3. Organizimi i një afati të plotë, të provimeve gjatë verës, 4. Mbajtja e afatit të rregullt të Shtatorit 5. Të ketë hapësirë të mjaftueshme kohor ndërmjet afateve, 6. Të shtyhet fillimi i vitit të ri akademik për dy javë në mënyrë që organizimi i provimeve të mos interferojë me vitin e ri akademik. /21Media