Në prag të 50 vjetorit të UP-së, Ministrja Bajrami viziton Rektorin Dema

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema ka pritur në takim ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Hykmete Bajrami.

Rektori Dema tha se bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe MASHT-it është domosdoshmëri, andaj është i gatshëm për bashkëpunimin të ngushtë ndërmjet institucioneve, për të ardhmen e universitetit dhe arsimit në vend.

“Me këtë vizitë po e fillojmë edhe javën e 50 vjetorit të këtij tempulli të dijes, shkencës, të hulumtimeve dhe punës artistike. Andaj, të fillohet një festë e tillë me praninë tuaj është me të vërtetë një fillim i veçantë. E rëndësishme është që ky gjysmë shekull po e gjen universitetin duke kaluar ditët më të mira që nga themelimi i tij”, theksoi rektori Dema.

Në anën tjetër, ministrja Bajrami përgëzoi rektorin Dema për progresin e bërë dhe shpalosi vizionin e qeverisë për arsimin e lartë.

“Duke qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës, fillimisht si studente, e më vonë si staf, e njoh nga afër progresin, do të thotë nuk është i vërtetë perceptimi se në këtë institucion nuk ka progres. Ju përgëzoj për të gjitha sukseset sepse me të vërtetë i kam ndjerë ato. Rregullsia në ligjërata dhe evidentimi online, janë bërë në mandatin tuaj”, theksoi ministrja Bajrami.

Takimi ndërmjet palëve vazhdoi me diskutim të detajuar për sfidat që e presin arsimin e lartë, si dhe objektivat e qarta të Universitetit të Prishtinës, si lider i institucioneve të arsimit të lartë në vend dhe më gjerë.