Shpallet ‘Ushtari i Vitit’ i Kosovës
Rafet Gashi nga Brigada e Reagimit të Shpejtë është shpallur sot si “Ushtari i Vitit” nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Pjesëmarrës në garën për “Ushtarin e vitit” ishin 22 ushtarë të cilët u është dashur që të kalojnë nëpër teste dhe ushtrime të ndryshme.
Rafet Gashi i cili mban gradën e Tetarit tha është i lumtur që ka arritur që ta marrë këtë çmim.
“Ka qenë një garë shumë e vështirë e cila ka përfshirë trajnime dhe gara në kategori të ndryshme mirëpo jam i lumtur që në fund kam arritur që ta fitoj çmimin”, sqaroi ai.
Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, tha se shpreson që kjo garë të zgjerohet duke pasur të përfshirë edhe ushtarë nga vendet e tjera dhe NATO.
“Qëllimi i gjithë kësaj gare është që te rritet shpirti garues i ushtareve për të testuar aftësitë e tyre dhe për tu dhënë atyre motivim”, tha ai.
Ai tha se është ndarë i kënaqur me rezultatet të cilat i kanë treguar ushtarët si në këto gara por po ashtu edhe nëpër garat ndërkombëtare.
“Ju ushtarë që po merrni pjesë nëpër garat ndërkombëtare dhe ato kombëtare çdo ditë, po na e dëshmoni se forca jonë e re është një forcë e cila është në rrugën për tu bërë një forcë e dëshmuar”, tha ai.
Në mesin e 22 ushtarëve që garuan për këtë çmim ishte edhe ushtarja Besarta Pacolli e cila ishte e vetmja femër në garë.
Besarta Pacolli tregoi se gara ka qenë një garë e vështirë për shkak se ka pasur ushtarë shumë të aftë që kanë konkurruar.
“Sigurisht ka qenë më e vështirë për mua si femër, më e vështirë ka qenë në aspektin fizik për t’u përballur kurse në kategoritë e tjera si në qitje, manovrim, teori e të tjera kam qenë në të njëjtin nivel me garuesit e tjerë”, ka sqaruar ajo.
Migjen Shala nga Brigada Mbështetëse Operacionale i cili vitin e kaluar ishte shpallur “Ushtari i viti” fitoi vendin e tretë kurse vendin e dytë e fitoi ushtari Binak Podrimqaku.