Selmanaj: Jo Kushtetueses për Tokat e Dhëna Manastirit

Gjykata Kushtetuese e publikoi të premten vendimin me të cilin këtë pronë e konsideroi të Manastirit të Deçanit.

“Unë nuk e zbatoj këtë vendim, nuk e pranoj. Jam i gatshëm të përballem me sanksionet juridike, jam i vetëdijshëm çka do me thënë t’i thuash jo një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, por duke e thënë këtë jam i gatshëm t’i bart pasojat,” tha Selmanaj.

Ai si në reagimin e djeshëm, edhe sot theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i ndikuar politikisht nga ndërkombëtarët dhe po sipas tij kjo gjykatë po zbaton vendime të ish-pushtetit serb.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme pati polemika mes asamblistëve të LDK-së e AAK-së. Të parët fajësuan komunën për gabim në hapa[poteza], ndërsa të dytët thanë se koalicioni qendror po humb toka.

Megjithatë, këshilltari i LDK-së Fatmir Kurmehaj tha se me çdo mjet demokratik do ta kundërshtohet vendimi për 24 hektarët.

“Si Lidhje Demokratike e Kosovës çdo aktivitet, çdo mënyrë çka oshtë  demokratike  dhe paqësore na jemi të gatshëm të dalim në protestë ose forma të ndryshme, por vendimet gjyqësore janë vendime gjyqësore,” tha Kurmehaj.

Në fund të mbledhjes, Asambleja e Deçanit me të gjitha votat për të asamblistëve të pranishëm, miratoi një deklaratë me 11 pika ku kundërshtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në njërën nga pikat i kërkohet Kadastrës në Komunën e Deçanit dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të mos e zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Mbledhjen e jashtëzakonshme kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj e paralajmëroi dje.

http://kallxo.com/selmanaj-therret-proteste-kunder-vendimit-te-kushtetueses/