Dardan Sejdiu në konferencë | Foto: KALLXO.com

Sejdiu Akuzon Haradinajn se i Iku Debatit me Kurtin

Pasi u anulua debati mes kandidatëve për kryeministër i paraparë të zhvillohej në Klan Kosova, ka reaguar Lëvizja “Vetëvendosje”.

Kandidati për deputet i këtij subjekti dhe nënkryetar i  Prishtinës Dardan Sejdiu akuzoi Ramush Haradinajn se iu shmang debatit të paralajmëruar.

“Haradinaj e shfrytëzoi një vendim të KPM që të tërhiqet nga debati me Albin Kurtin. Si duket koalicioni PDK- AAK- Nisma nuk ka as program as nuk ka çka shpalosë para qytetarëve”, tha Sejdiu.

Komisioni i Pavarur për Media u rekomandoi medieve që të mos organizojnë debate zgjedhore para nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore më 31 maj.

Por Sejdiu nuk e konsideroi këtë arsye për moszhvillimin e debatit.

“Koalicioni i mesnatës ikjen nga ballafaqimi me Vetëvendosjen po vazhdon edhe në debate. Nëse Haradinaj po vazhdon t’u ik debateve ai do t’u ikë edhe qytetarëve”, tha Sejdiu.

KALLXO.com tentoi të marrë një deklaratë në lidhje me akuzat e VV-së për shmangie nga debati, nga kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe partive tjera, por Haradinaj e kishte të fikur telefonin.

Muharrem Nitaj, zëdhënësi i kësaj partie dhe kandidati për deputet sugjeroi si përgjigje një reagim që AAK-ja e publikoi në mëngjes në lidhje me anulimin e debatit.

“Debati i paralajmëruar ndërmjet kandidatëve për kryeministër të Kosovës në Klan Kosova është anuluar për shkak të një vendimi të Komisionit të Pavarur të Mediave. Çdo shpjegim tjetër i kundërshtarëve politikë, është spekulim i pastër”, thuhet në njoftimin e AAK-së.