Rënie e Numrit të Ankesave në OShP

Këtë e bëri të ditur kreu i këtij institucioni, Blerim Dina, në konferencën e Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) lidhur me prokurim publik në ditët e sotme, arritjet, sfidat dhe mundësitë për Kosovën.

Sipas kreut të OShP-së ka pasur rënie të ankesave. Dina tha se vlerësohet se këtu kanë ndikuar çështja e deponimit të pagesës për ankesë sipas Ligjit të ri për Prokurim Publik, që shkojnë deri në 5 mijë euro, dhe kërkesa për rishqyrtim te vetë autoritetet kontraktuese.

“Në vitin 2016, OShP ka pranuar gjithsej 481 ankesa. Nëse i krahasojmë me vitet paraprake, në vitet paraprake ka pasur më shumë ankesa. Edhe pse nuk kemi bërë ndonjë analizë të veçantë për këtë, mendoj se dy faktorë kanë ndikuar që të zbritet numri i ankesave. Nën një – rritja e përqindjes që është dashtë me ba deponim të pagesës për ankesë në OShP, ku sipas Ligjit të ri vlera e pagesës në OShP ka qenë 1 për qind e vlerës së ofertës së operatorit ekonomik apo jo më pak se 100 euro apo jo më shumë se 5 mijë euro. Faktori i dytë që mendoj se ka ndikuar është edhe kërkesa për rishqyrtim tek autoritetet kontraktuese”, theksoi kreu i OShP-së.

Sipas Blerim Dinës, 36 prej këtyre ankesave kanë mbetur për shqyrtim për këtë vit pasi sipas tij OShP në vitin e kaluar ka shqyrtuar ankesa edhe nga viti 2015.

Në konferencë u tha se janë aprovuar 137 vendime të autoriteteve kontraktuese, 190 lëndë janë kthyer në rivlerësim, ritenderim 50, 26 tërheqje të ankesave, 9 urdhëresa për autoritetet kontraktuese, ankesa të refuzuara 33, nën shqyrtim 36.