Nga shpërthimi i mëhershëm në oborrin e RTK-së | Foto: KALLXO.com

Reagime për Shpërthimin te Shtëpia e Drejtorit të RTK-së

Një shpërthim në oborrin e shtëpisë së drejtorit të RTK-së Mentor Shala nxiti reagimet e sindikatave të këtij mediumi publik.

Shpërthimi sipas policisë ndodhi në orën 22 e 10 minuta në Rrugën “Muharrem Fejza” të Prishtinës, ndërsa ai nuk shkaktoi të lënduar, por vetëm dëme materiale.

“Sindikata e Punëtorëve e RTK- së dënon ashpër sulmin e mbrëmshëm kriminal dhe qyqar  ndaj shtëpisë së Drejtorit Gjeneral të mediumit publik RTK, Mentor Shala, ku persona të panjohur mbrëmë në mënyrë kriminale sulmuan me granatë dore shtëpinë e tij duke terrorizuar fëmijët dhe tërë familjen Shala,” thuhet në reagimin e SPERTK-së.

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon që sa më shpejt të ndriçohen këto sulme.

“SPERTK nuk dëshiron të paragjykojë motivet e këtij sulmi, por i dënon të gjitha sulmet, fyerjet, të cilat po bëhen kohës së fundit në adresim të RTK-së. SPERTK i bënë thirrje organeve të drejtësisë sa me shpejt t’i ndriçojnë këto raste kriminale dhe kryesit e këtyre veprave të vihen para drejtësisë,” thuhet më tutje në reagim.

Sulmin në oborrin e shtëpisë së drejtorit të RTK-së e dënoi edhe Sindikata e Pavarur e këtij mediumi.

“Sindikata e Pavarur e RTK-së  dënon ashpër sulmin  me granatë dore ndaj shtëpisë së drejtorit gjeneral të RTK-së Mentor Shala,” thuhet në reagimin e kësaj sindikate.

Sindikata e pavarur kërkon që aktet e tilla të mos mbeten të pandëshkuara.

“SPRTK   kërkon nga organet e drejtësisë që ta kryejnë punën e tyre dhe  aktet e tilla kriminale të mos mbesin anonime dhe të pandëshkuara,” përfundon reagimi.

Edhe vetë RTK-ja u sulmua me granatë dore më 23 gusht.

http://kallxo.com/shperthim-ne-rtk-shume-police-atje/

Një sulm me mjet shpërthyes ndodhi edhe ndaj Kuvendit të Kosovës më 5 gusht.

http://kallxo.com/sulmohet-me-mjet-shperthyes-kuvendi-i-kosoves/