Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Qytetarët Ankohen për Rrugët e Errëta të Mitrovicës

Disa lagje të Mitrovicës kanë mbetur në errësirë, ndërsa për pengesat që po shkaktohen nga terri nëpër këto rrugë në KALLXO.com janë ankuar disa mitrovicas.

Sipas raportimit, ky problem me ndriçimin është që gati një muaj.

Ankuesit kanë thënë se është shumë shqetësues problemi i dritave edhe gjatë vozitjes edhe gjatë ecjes.

“Komuna nuk ndërmerr asgjë, edhe pse kryetari kalon nga këto rrugë çdo ditë e natë, sepse e ka rrugën për në shtëpi”, thuhet në raportim.

Zëdhënësi i Komunës se Mitrovicës Hysni Syla tha për KALLXO.com se janë duke u ndërmarrë masa për zgjidhjen e këtij problemi.

“Kemi pasur problem në disa lagje:  Bair, Iliridë dhe Shipol, mirëpo ne kemi njoftuar KEDS-in për këto lagje dhe jemi duke ndërmarrë masa për zgjidhjen e këtij problemi”, tha Syla.

Por zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala, po për KALLXO.com deklaroi se rregullimi i ndriçimit publik nuk është kompetencë e kësaj kompanie.

“Çështja e ndriçimit publik i takon komunës përkatëse, pra nuk është në kompetencat të KEDS-it dhe kompania s’mund të merret me këtë. Sa i përket furnizimit dhe distribuimit të energjisë elektrike ne jemi të gatshëm ta bëjmë si për këtë, ashtu edhe për secilin konsumator. Ndërsa, instalimet e brendshme i takojnë konsumatorit”, tha Buzhala.

KALLXO.com kontaktoi edhe kryetarin e PDK-së në Mitrovicë dhe ish-kryetarin e këtij qyteti Avni Kastrati, për ta pyetur për problemin e ndriçimit.

Ai tha se nuk është i informuar për një problem të tillë.

“Nuk duhet pasur problem me ndriçim. Janë shpenzuar rreth 670 mijë euro për rregullimin e ndriçimit në hapësirat publike të qytetit”, tha Kastrati.

KALLXO.com ka shkruar edhe më parë për probleme me ndriçimin në pjesë tjera të Kosovës.

http://kallxo.com/kendit-te-femijeve-kthehet-siguria/

http://kallxo.com/mosndricimi-jetim-i-fushe-kosoves/

http://kallxo.com/demolohet-ndricimi-publik-ne-rrugen-b-ne-prishtine/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri