Teatri Kombëtar i Kosovës - Foto: Atdhe Mulla

Punëtorët e Teatrit Kombëtar Ankohen për Diskriminim

Disa aktorë të Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë akuzuar menaxhmentin e këtij institucioni se po e neglizhon trupën rezidente duke angazhuar aktorë të jashtëm për shfaqje.

Sindikata e punëtorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës e cila është formuar rishtazi ka mbajtur konferencë njoftuese rreth punës dhe aktiviteteve sindikaliste.

Mehmet Breznica, Kryetar i kësaj sindikate, tha se janë të vendosur për luftimin e parregullsive të cilat sipas tij po i dëmtojnë aktorët e talentuar të këtij teatri.

“Ka shumë aktorë të talentuar që nuk i është dhënë mundësia që të kenë ndonjë rol me peshë këtu përveçse roleve episodike”, deklaroi Breznica.

Ndërkaq  nënkryetari Naim Berisha vlerësoi se në teatër po bëhen shkelje ligjore dhe diskriminime nga siç i quan ai  ‘klanet’.

“Teatri Kombëtar i Kosovës ka kohë që nuk gjendet në gjendje të mirë, që ka probleme me funksionimin e tij dhe me ligjin. Brenda këtij teatri ka diskriminim të punëtorëve dhe fatkeqësisht ka edhe klane”, tha Berisha.

67 punëtorë janë të punësuar në Teatrin kombëtar prej të cilëve 42 prej tyre kanë nënshkruar një peticion për themelimin e sindikatës.

SHSPTKK është formuar me 20 qershor të këtij viti.

Sindikalistët pretendojnë se kanë përmbushur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për tu konsideruar sindikatë valide si dhe e kanë dërguar kërkesën për certifikim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.