foto; Denis Sllovinja
Nesër ritestohen kandidatët për Udhëheqës Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës
Nesër (14 dhjetor 2022) do të përsëritet testimi me shkrim i kandidatëve që kanë konkurruar në konkursin për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik (UA) të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK).
Ritestimi me shkrim i kandidatëve për pozitën e UA-së së TKK-së do të mbahet pas vendimit të Komisionit të Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili urdhëron që kandidatët përsëri t’i nënshtrohen testimit me shkrim. Vendimi i Komisionit Ankesave erdhi pas dyshimeve për rrjedhe të pyetjeve të testit te njëri prej kandidatëve konkurrues dhe dy ankesave për parregullsi për testin me shkrim.
Testimi i kandidatëve që kanë konkurruar për pozitën e UA të TKK-së është mbajtur më 26.10.2022, në objektin e MKRS-së. Po atë ditë është bërë edhe vlerësimi i testeve të kandidatëve nga Këshilli Drejtues i TKK-së.
Por, vlerësimi u ndërpre, pasi një nga anëtarët e KD-së u largua nga vlerësimi i testit të njërit prej kandidatëve duke ngritur dyshimin se pyetjet e testit mund t`i jenë treguar atij para testimit.
KD ndërpreu vlerësimin, por e vazhdoi më 2 nëntor 2022 aty ku mbeti më 26 tetor 2022, por, pa prezencën e anëtarit (KD-së) që ngriti dyshime se njërit prej kandidatëve konkurrues mund t’ i jenë treguar paraprakisht pyetjet e testit.
Sokol Plakolli, Arat Muçaj, Zana Hoxha dhe Kushtrim Mehmeti janë kandidatët që synojnë pozitën e UA të TKK-së. Testimi dhe intervistimi i kandidatëve bëhet nga KD i TKK-së.
KALLXO.com, është duke monitoruar Konkursin për Zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të TKK-së dhe pas përfundimit do të dal me një artikull për gjithçka që ka ndodhur gjatë procesit të këtij konkursi.
Ky është konkursi i pestë që MKRS ka hapur për zgjedhjen e UA-së së TKK-së nga qershor i 2019-ës, kur regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar në këtë pozitë.