
Pallati i Rinisë në Prishtinë. Foto: KALLXO.com.
Teatri Kombëtar zhvendoset në Pallatin e Rinisë, nisin përgatitjet për premierën e re
Amfiteatri i Pallatit të Rinisë në Prishtinës është përzgjedhur si vendi ku Teatri Kombëtar i Kosovës planifikon të vazhdojë dhënien e shfaqjeve deri në përfundim të renovimit të objektit të tij.
Me adaptimin e kësaj salle, Teatri Kombëtar do të nisë edhe përgatitjet për realizmin e premierës së re, “Pas vdekjes” me regji të Fatos Berishës.
Kushtrim Sheremeti, drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar tha për KALLXO.com se kjo premierë pritet të realizohet deri në fund të tetorit (2022).
“Me dhënien e kësaj premiere synojmë ta promovojmë edhe këtë hapësirë, ku do të vazhdojmë me repertorin e shfaqjeve që i kemi në dispozicion, por edhe në prodhimin e shfaqjeve tjera që i kemi në program qoftë të skenës së madhe qoftë të skenës së vogël” – tha ai.
Ai tha se gjatë këtij viti, sipas edhe rrethanave të krijuara, TKK planifikon edhe realizimin e shfaqjeve edhe në bashkëprodhim me teatrot e rretheve dhe ato të huaja.
“Në planë kemi realizmin e një kooproduksionit me një prej teatrove të huaja, si pjesë e bashkëpunimit me Konventën Teatrore Evropiane” – tha drejtori Sheremeti.
Nga 1 korriku i këtij viti objekti i TKK-së është mbyllur dhe pritet të nisë një renovimi i përgjithshëm i këtij objektit.