Pamje nga seanca që nuk u zhvillua në mungesë të prokurorit - Foto: KALLXO.com

Prokurori Mungon Përsëri në Seancë

Mungesa e prokurorit Ilaz Beqiri ka bërë që për të dytën herë të shtyhet shqyrtimi gjyqësor në rastin ku të akuzuar janë Bahri Shabani, Rrahman Emini dhe Sami Rrahmani.

Edhe pse filloi një orë me vonesë, seanca nuk u mbajt sepse aty nuk u paraqit prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës Ilaz Beqiri.

Beqir Kalludra, kryetari i trupit gjykues në këtë proces, deklaroi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të mbahet ky shqyrtim dhe shtoi se prokurori mungon për të dytën herë në këtë proces gjyqësor.

Gjyqtari Kalludra gjithashtu tha se edhe pse ftesa i ishte dërguar në formë të rregullt prokurori Beqiri mungesën nuk e ka arsyetuar.

Kryetari i trupit gjykues theksoi se për këtë mungesë do të informohet për herë të dytë edhe Kryeprokurori i Shtetit.

“Prokurori i shtetit Ilaz beqiri nuk është. Ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt por mungesën nuk e ka arsyetuar”, tha Kalludra.

Për mungesat e njëpasnjëshme të prokurorit pakënaqësitë i shprehën të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre sepse sipas tyre kjo që është duke bërë prokurori nuk është në rregull.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Bahri Shabani, Rrahman Emini dhe Sami Rrahmani.

Këta të tre akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës në bazë të marrëveshjes kanë përvetësuar mjete financiare.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Bahri Shabani si kryetar i BSPK-së, Rrahman Emini financier i saj dhe Sami Rrahmani shofer kanë kryer veprën penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon se në bazë të urdhrit të Shabanit, i akuzuari Emini më 11 nëntor 2005 ka tërhequr nga arka si huazim për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale shumën prej  11 mijë e 500 eurove, të cilat i ka pranuar i akuzuari Sami Rrahmani, ndërsa për këtë nuk ka ekzistuar ndonjë kontratë huazimi me ministrinë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 19 korrik ora 13:00.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast gjyqësor.

http://kallxo.com/mungesa-e-prokurorit-shtyn-seancen-e-korrupsionit/