Profesori nga Rahoveci Gjuan me Armë në Zënkën me Nxënësin

Incidenti dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të oborrit të shkollës.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Rahovec Osman Ismajli ka konfirmuar për KALLXO.com se profesori së bashku me nxënësin janë arrestuar pas këtij incidenti.

“Ka ndodhë një përleshje dhe është shtënë me armë zjarri,” ka thënë Ismajli.

Kryeprokurori i Gjakovës Ali Selimaj ka sqaruar se zënka me të shtëna në mes profesorit dhe nxënësit të shkollës ka ardhur pas një konflikti që nxënësi me mësuesin e kanë pasur para dhjetë ditësh në ekskursionin e shkollës në Prishtinë.

“Mësuesi pas këtij konflikti ka deklaruar se është ndier i frikuar dhe ka bartur armën me veti,” ka thënë kryeprokurori Selimaj.

Ai ka shtuar se nga informacionet e para që i ka prokuroria, nxënësi Betim D. sot ka shkuar për t’i dhënë disa provime në shkollë dhe në momentin kur janë takuar me profesorin kanë shkëmbyer disa fjalë e më pas kanë filluar një përleshje në oborrin e shkollës.

“Kur konflikti ka eskaluar të dy kanë dalë jashtë oborrit, ndërsa mësuesi  e ka nxjerrë revolen dhe ka shtënë me të,” ka thënë Selimaj.

Ai ka deklaruar se pas shkrepjes së armës nxënësi ka tentuar të sulmojë me një thikë mësuesin, por pas ndërhyrjes së qytetarëve konflikti nuk ka vazhduar tutje.

Dy protagonistët e kësaj ngjarjeje 20 vjeçari Betim D dhe profesori  tashmë janë arrestuar nga policia dhe po mbahen në masën e arrestit prej 48 orësh.