Foto-ilustrim

Pritje 90 Minutëshe në Merdar

Kolona e makinave në këtë pikë, sipas shënimeve të qendrës, pak minuta pas orës 12:00 ishte e gjatë 1 kilometër e 20 metra.

Te “Dheu i Bardhë” pritjet aktuale janë 30 minutëshe, ndërsa kolona dyqindmetërshe.

I kontaktuar nga KALLXO.com  zëdhënësi i policisë Daut Hoxha tha se aktualisht vetëm në Merdar ka kolona dhe pritje të gjata.

“Në pikën e kalimit kufitar në Merdar në dalje nga Kosova në kufi me Serbinë kemi pasur vazhdimisht fluks më të madh të automjeteve dhe për pasojë kolonat dhe pritjet kanë qenë më evidente më shumë sesa në pikat e tjera,” tha Hoxha.

Hoxha deklaroi se përveç Merdarit e “Dheut të Bardhë” nëpër të gjitha pikat tjera qarkullimi po zhvillohet normalisht dhe nëpër to nuk ka pritje përveç për procedurat e rregullta të kalimit të kufirit.

Zëdhënësi Hoxha thotë se policia vepron varësisht nga fluksi i njerëzve dhe makinave nëpër pikat kufitare.

“Policia e Kosovës varësisht prej nevojave dhe rritjes së fluksit ndërmerr edhe masa konkrete për rritjen e kapaciteteve me personel si dhe aplikim të procedurave të përshpejtuara të kalimit,” thotë Hoxha.

Ai u bën thirrje atyre që po dalin jashtë vendit nëpërmjet Serbisë që mundësisht ta shmangin pikën kufitare në Merdar.

“Policia e Kosovës duke vlerësuar se fluksi më i madh është koncentruar në Merdar apelon tek të gjithë ata që kanë për të udhëtuar jashtë vendit të përdorin edhe pikat e tjera të kalimit kufitar ku nuk ka pritje apo kolona të gjata,” thotë Hoxha.

Kolonat e tilla zakonisht krijohen gjatë verës, ose edhe gjatë dimrit në prag dhe pas Vitit të Ri, kur mërgimtarët kosovarë kthehen ose largohen nga Kosova.

KALLXO.com vazhdimisht ka shkruar për pritjet kufitare.

http://kallxo.com/pritje-tri-kater-oreshe-ne-merdar-per-dalje-nga-kosova/

http://kallxo.com/kufirit-me-serbine-i-kthehen-kolonat-e-pritjeve/

http://kallxo.com/dyndje-e-kosovareve-ne-maqedoni-ne-diten-e-pavaresise-video/