Policia nuk është më në pikën e saj statike te liqeni i Badovcit – Foto: KALLXO.com

Policia Tërhiqet nga Ruajtja e Digës së Badovcit

Policia ka vendosur që ta heqë nga mbikëqyrja 24-orëshe digën e liqenit të Badovcit, e cila ishte vënë nën mbikëqyrjen policore pas kërcënimeve terroriste të korrikut të vitit 2015.

KALLXO.com ka vërejtur se Policia qe disa ditë nuk është duke qëndruar në pikën e saj statike afër digës së liqenit, ku ishte vendosur menjëherë pas arrestimit të disa personave, të cilët akuzohen se janë pjesë e grupit terrorist “ISIS”.

I kontaktuar nga KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se në Badovc ka pasur vetëm patrullime të rregullta.

“Policia e Kosovës në mënyrë konsistente bën vlerësime të situatës së sigurisë dhe në bazë të atyre vlerësimeve edhe ndërmerr veprimet e saj operacionale. Policia duke pasur parasysh detyrat dhe objektivat e saj për një siguri sa më të lartë mban nën monitorim të vazhdueshëm, duke angazhuar zyrtarë kompetentë në mënyrë aktive edhe nëpër lokacionet me rëndësi të veçantë apo edhe të atyre qe vlerësohen si infrastrukturë kritike”, ka thënë Daut Hoxha për KALLXO.com.

Rojat me armë të gjata u vendosën në afërsi të Badovcit në korrik të vitit të kaluar ndërsa Policia nisi patrullimet edhe me barkë në liqenin i cili furnizon me ujë një pjesë të madhe të kryeqytetit.

Arrestimi i Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Fehmi Musës dhe Enis Latifit në afërsi të këtij liqeni kishte ngjallur panik ndërsa sipas versionit zyrtar të arrestuarit kishin qëllim filmimin e një videoje në afërsi liqenit. Pesë të arrestuarit kanë mohuar fajësinë për akuzat e prokurorisë.

Policia Përforcon Badovcin, Nisin Patrullimet me Barkë

http://kallxo.com/aktakuze-per-terrorizen-ne-rastin-e-liqenit-te-badovcit/