Peticioni i intelektualëve për Haradinajn | Foto: KALLXO.com

Peticion i Intelektualëve për Lirimin e Haradinajt

Në Bibliotekën Kombëtare, përmes një peticioni janë mbledhur nënshkrime nga 603 intelektualë të Kosovës, të cilët kërkojnë lirimin e Ramush Haradinajt.

Hakif Bajrami, historian dhe përfaqësues i intelektualëve të Kosovës, tha se e vetmja gjë që kërkohet me peticion është drejtësia.

“Kemi një peticion të nënshkruar nga 603 intelektualë të njohur të Republikës së Kosovës dhe të gjitha viseve shqiptare. Ne nuk kërkojmë kurrfarë privilegji, por kërkojmë drejtësi për Ramush Haradinajn, drejtësi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila i tregoi mbarë njerëzimit se si bëhet lufta e drejtë”, tha Bajrami.

Bajrami tregoi që ishte njëri ndër të ftuarit e Gjykatës së Hagës për të dëshmuar në rastin e Ramush Haradinajt, andaj sipas tij, asnjëherë nuk është vërtetuar se Haradinaj ka kryer krimet për të cilat po akuzohet.

“Kam pasur rastin që para hetuesve të Tribunalit të Hagës të jap mendimin tim si historian për Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn. Në asnjë rast, në asnjë dokument, në asnjë argument, nuk ka pasur prova se Ushtria e Adem Demaçit dhe Adem Jasharit ka bërë krime mbi civilët”, tha Bajrami.

I pyetur se cili do të ishte reagimi i juaj nëse Ramush Haradinaj ekstradohet në Serbi, Bajrami theksoi se udhëheqësit serbë janë arsyeja e trazimit të Ballkanit dhe Europës, andaj edhe e cilësoi krim bashkëpunimin e qeveritarëve të Kosovës me Serbinë.

“Me Daçiqin, me Vuçiqin, Nikoliqin e Sheshelin nuk ka drejtësi në Ballkan, nuk ka qetësi në Europë. Unë si historian i njoh ata, e di se ata i kanë duart e përlyera deri në bërryl me gjak. Edhe është krim jo vetëm për ata, por është krim edhe për këta që ua japin dorën atij”, shtoi përfaqësuesi i intelektualëve.

Sipas Bajramit, peticioni dorëzohet nën shpresën se pas një jave Haradinaj do të lirohet, edhe pse ai dyshon në agjendat europiane, serbe dhe ruse.

Ramush Haradinaj u arrestua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një fletarrestimi të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia.

Ai po mbahet në Francë derisa ky shtet të vendosë në lidhje me kërkesën ekstraduese të Serbisë.

Seanca për Haradinajn do të mbahet më 27 mars në Colmar të Francës.

http://kallxo.com/shtyhet-perseri-vendimi-per-haradinajn/