Përfundon Provimi Pranues në Disa Fakultete të UP-së

Në Universitetin e Prishtinës “ Hasan Prishtina” sot i janë nënshtruar provimit pranues 9 mijë e 39 kandidatë për studime në vitin akademik 2017/2018.

Provimi pranues është zhvilluar në nëntë fakultete- atë Filozofik, Juridik, të Ndërtimtarisë, Inxhinierisë Mekanike, Bujqësisë, Edukimit, Arteve dhe Sportit.

Prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Naser Sahiti tha për KALLXO.com se gjithçka ka shkuar mirë gjatë ditës së parë të provimit pranues.

“Procesi i testimit të studentëve në provimit pranues ka shkuar krejt në rregull. Studentët janë lajmëruar në afatin kohor. Në të gjitha Njësitë Akademike është mbajtur testi ashtu si ka qenë i shpallur në konkurs. Ne kemi biseduar me disa njësi akademike si menaxhment i drejtuar nga rektori dhe në të gjitha kemi vërejtur një mobilitet të madh që ky proces të përfundojë ashtu siç është planifikuar”, tha Sahiti.

Prorektori tha se pas përfundimit të provimit pranues nuk ka pasur asnjë ankesë nga kandidatët për studentë në UP.

Ndërsa gjatë ditës së enjte, më 20 korrik pritet të mbahet pjesa e dytë e provimit pranues në Fakultetin e Arteve dhe Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit.

Po nesër provimi pranues do të mbahet në  Fakultetin e Shkencave Matematikore- Natyrore, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetin Ekonomik ku kanë aplikuar 3 mijë 329 kandidatë për studime.

Ndërsa të premten e 21 korrikut 1 mijë e 928 kandidatë që konkurrojnë për të qenë studentë në Fakultetin e Mjekësisë do të hynë në provim pranues.

Në Universitetin e Prishtinës këtë vit kanë aplikuar 14 mijë e 296 kandidatë, ndërsa numri i përcaktuar që UP do t’i pranojë është 6 mijë e 869.

Nga ajo që shihet, i bie se më shumë se dy studentë kanë aplikuar për një indeks në Universitetin e Prishtinës.