Provimi pranues në universitetet publike - Foto: MASHT

Mbahet Provimi Pranues për Fakultete

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i shoqëruar nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka vizituar kandidatët që i janë nënshtruar provimit në Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin Filozofik të UP-së.

Ministri uroi studentët e ardhshëm që të jenë maksimalisht të përkushtuar në këtë ditë të rëndësishme dhe që të kenë sukses në përmbushjen e dëshirës së tyre për të filluar studimet, në drejtimet të cilat i kanë përzgjedhur.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e këtij testi dhe vlerësoi lartë cilësinë e organizimit.

“Tanimë universiteti ka ndërtuar standardin e pranimit me merita, është një standard i ndërtuar me vite. Cilindo fakultet që po vizitojmë po shohim rend dhe përkushtim të profesorëve dhe studentëve. Kjo është një arritje e madhe në arsimin e lartë, e cila do të mundësojë që ne të jemi në hap me trendet rajonale dhe evropiane”, theksoi ministri Bajrami.

Studentët i ka uruar për sukses edhe rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, i cili gjithashtu shprehu bindjen se procesi i testimit do të shkojë mbarë dhe se gjithçka ka filluar me kohë.

Pikët nga ky provim do të bëjnë pjesë në përqindjen vlerësuese për pranim nëpër fakultete ku gjithashtu hyn testi i maturës dhe suksesi i përgjithshëm në shkolle të mesme.

Këtë vit me përqindje më të lartë se vitin e kaluar do të vlerësohet suksesi në shkollën e mesme, nga 20 përqind sa ishte në 30 përqind.

Këtë vit afati i aplikimit nëpër fakultete ishte më 8 korrik.

KALLXO.com ka raportuar për hutinë ndër studentë që ka shkaktuar procesi i aplikimit.

http://kallxo.com/huti-nder-studente-per-aplikim-ne/