Foto: Arkiv

Provimi i Maturës, nesër pritet të testohen rreth 24 mijë nxënës

Rreth 24 mijë nxënës të klasave të dymbëdhjeta të Kosovës, nesër do t’i nënshtrohen Provimit të Maturës Shtetërore.

Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit tha se për shkak të COVID-19 në një klasë do të qëndrojnë 15 nxënës për testim.

“Për shkaqe të pandemisë është njësoj sikurse në vitin e kaluar, pra 15 nxënës në një klasë. Në qendër të testimit do të jenë, administratorët, komisioni, vëzhguesit që do të përcjellin mbarëvajtjen e testimit”, tha Elezi për KALLXO.com.

Ai shtoi se edhe këtë vit do të jetë niveli i kalueshmërisë 40%  dhe do të jenë 100 pyetje.

“Niveli i kalueshmërisë është i njëjti 40% e testit dhe do të jenë 100 pyetje. Këtë vit janë të angazhuar mbi 2 mijë administrator dhe ka vëzhgues të Organizatave Jo-Qeveritare nga forumi rinor”, tha Elezi më tej.

Ministria e Arsimit dje ka njoftuar se bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit.

Brenda qendrave të testimit nuk lejohet asnjë person tjetër përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Testi do të fillojë në ora 10:00.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 5 korrik.