Senati UP-së Nesër Vendos për Angazhimin e Profesorëve të Jashtëm

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të martën me datë 31.10.2017 do mbajë mbledhjen e rregullt, ku pritet të diskutohen 17 pika të rendit të ditës.

Si pikë e rendit të ditës është edhe njoftimi i Senatit lidhur me listat e kandidatëve për bashkëpunëtorë të jashtëm për ligjërata dhe për ushtrime të angazhuar nga njësit akademike të UP-së.

Poashtu, Senati pritet të marr vendim për përsëritjen e konkursit për angazhim të bashkëpunëtorëve të jashtëm për ligjërata dhe për ushtrime në njësitë akademike të UP-së për vendet të cilat nuk janë plotësuar në konkursin e parë.

Pikë e rendit të ditës do të jetë edhe marrja e vendimit për angazhimin e profesorëve vizitor në Fakultetin Filozofik dhe në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit për vitin akademik 2017/2018.

Në mesin e pikave të rendit të ditës në Senat pritet të jetë edhe shqyrtimi dhe marrja e vendimit lidhur me kërkesën e Parlamentit të studentëve për lejimin e afateve të provimeve për nëntor dhe prill të vitit akademik 2017/2018, si dhe për lejimin e afateve të provimeve për absolventë.

Në këtë mbledhje pritet të bëhet rishqyrtimi i propozim-ndryshimit të vendimit për lejimin e kohëzgjatjes së vazhdimit të studimeve për studentët e studimeve themelore dhe master.

Senati gjatë ditës së martë pritet të shqyrtojë edhe kërkesën e Fakultetit  të Edukimit Fizik dhe i Sportit për vazhdimin e kontratave të personelit akademik ( asistentët) që iu kanë skaduar kontratat një vjeçare dhe që ende nuk kanë pasur konkurs për avancim.