PDK: Ja Dështimet e Shpend Ahmetit

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, sot përmes një konference për media ka demantuar Shpend Ahmetin lidhur me përmbushjen e premtimeve të tij.

Sekretari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli, ka thënë se asnjë premtim përmbajtjesor i Shpend Ahmetit nuk është përmbushur gjatë këtyre katër vjetëve, porse për shkak të dështimeve të shumta, sot do merren vetëm me tri premtime të tij, kurse ditëve të ardhshme edhe me të tjerat.

“Të vetmet premtime që ka përmbushur janë ato që mund t’ia ketë bërë partisë së tij, duke politizuar tërë administratën e Prishtinës, duke punësuar afër 500 militantë të Vetëvendosjes aty, duke u dhënë tenderë kompanive të afërta me Vetëvendosjen, duke punësuar militantë në Ndërmarrjen Banesore dhe në shkollat e Prishtinës, duke bërë biznes me leje ndërtimore, si dhe duke kapur dhe shfrytëzuar gjithçka publike për partinë Vetëvendosje në Prishtinë”, ka thënë Cakolli.

Për premtimin e Ahmetit për furnizim të pandërprerë me ujë, Cakolli ka thënë se ai kishte premtuar një mori gënjeshtrash, mirëpo tash ka përfunduar duke u munduar t’i përvetësojë meritat e të tjerëve për ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj.

“Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti kishin premtuar se brenda 12 muajve do ta bëjnë planin aksional për investimet e nevojshme në secilën lagje për parandalimin e humbjeve të ujit në gjithë rrjetin. Kurse, brenda 24 muajve, kishin premtuar se do t’i përfundonin të gjitha investimet kapitale dhe qytetarët e Prishtinës do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë në të gjitha lagjet që janë pjesë e rrjetit në Prishtinë. Mirëpo, për 24 muaj nuk kishin bërë asgjë dhe qytetarëve të Prishtinës u ishte përkeqësuar furnizimi me ujë edhe më shumë”, tha Cakolli.

Zyrtari i PDK-së në Prishtinë tha se kjo situatë zgjati derisa u ndërtua Fabrika e Përpunimit të Ujit në Shkabaj, “për të cilën Shpend Ahmeti nuk ka fije merite, ndonëse me propagandën e tij është munduar t’i përvetësojë meritat e ndërtimit të saj”.

Gjithashtu, për familjet në asistencë sociale, Vetëvendosje kishte premtuar edhe lirime për pagesën e ujit deri në 18 mijë litra gjatë muajit, por edhe kjo ishte vetëm një gënjeshtër e tyre elektorale, sepse kurrë as që kanë provuar ta përmbushin këtë premtim të tyre, shtoi ai.

Sekretari i PDK-së së Prishtinës ka demantuar Vetëvendosjen edhe për përmbushjen e premtimit të tyre për krijimin e tregut të prodhimeve vendore.

Ai ka pyetur nëse dikush e di se ku gjendet tregu “Duaje tënden” për prodhuesit vendorë në Prishtinë?!

Sipas Cakollit, partia Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti u premtonin prodhuesve se do të flisnin edhe me pronarët e restoranteve dhe kafiterive në Prishtinë, që të furnizohen vetëm me prodhimet vendore dhe se do të kërkonin prej tyre që të zotohen me kontrata se të gjitha materialet që i blejnë për kuzhinë, do t’i blejnë nga prodhuesit vendorë, por as këtë nuk e kanë bërë.

Ndërkaq, si premtim tjetër, me të cilin është marrë sot Dega e PDK-së në Prishtinë është edhe dështimi i rregullimit të trafikut në Prishtinë.

Cakolli ka thënë se përgjigjen nëse është përmirësuar trafiku në Prishtinë e di çdo qytetar, sepse çdo ditë e përjeton kaosin në trafikun e Prishtinës, i cili vetëm sa është përkeqësuar edhe më shumë./21Media