Pavarësia e Kosovës-Dënim për Vrasësit e Aganit

Kryetari i LDK-së dhe Kryeministri i vendit Isa Mustafa me anëtarët e kryesisë së subjektit që drejton në këtë ditë bënë homazhe dhe vendosën lule pranë varrit të ish-veprimtarit.

Mustafa tha se puna, sakrifica dhe kontributi i Fehmi Aganit meriton respektin më të madh nga të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ky respekt do të mbetet përgjithmonë.

“Ne sot kemi dal në përvjetorin e vrasjes së tij që të nderojmë figurën e tij, të nderojmë veprën e tij, këtu që jemi afër me familjarët dhe do të dëshiroj të them se ai meriton respektin më të lartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të shtetit të Kosovës dhe ne do të mundohemi që këtë respekt të ia bëjmë përgjithmonë,” tha Mustafa.

Ndërsa, Mentor Agani, djali i veprimtarit tha se tashmë është jetësuar vepra e tij dhe ajo për të cilën Agani u vra.

“Ajo për të cilën është vrarë është realizuar. Pavarësimi i Kosovës është dënimi për ata që e kanë vrarë, përmbushja e qëllimit është arritur qoftë për babanë, qoftë për të gjithë ata që e dhanë jetën,” tha Agani.

Fehmi Agani lindi në Gjakovë me 1932. Ai ishte filozof, sociolog e politikan i doktoruar.

Më 6 maj 2004 nga ana e kryetarit të Kosovës u shpall “Hero i Kosovës”.

Agani ishte dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa u vra para 17 vjetësh nga forcat serbe në përpjekje për të dalë nga Kosova në Maqedoni, pak më shumë se 1 muaj para se Kosova të çlirohej.