Universiteti i Gjakovës blen materiale kundër COVID-19 dhe materiale mësimore

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” ka blerë materiale higjienike kundër COVID-19 dhe materiale të tjera edukative-arsimore në vlerë 2,758 euro.

Në mesin e katër kompanive që ishin shpallur të përgjegjshme, fituese e tenderit është shpallur kompania “Viva Fly Sh.P.K”.

Kontrata është nënshkruar më 18 nëntor, më pak se një muaj që nga publikimi i njoftimit për kontratë. Kontrata parashihet të zgjasë 1 muaj.

Universiteti  kishte parashikuar të harxhojë 4,400 euro për blerjen e materialeve higjienike kundër COVID-19 dhe materialet e tjera edukative-mësimore por kontrata është nënshkruar për rreth 1,600 euro më pak.

Përmes kontratës janë blerë 23 produkte të ndryshme, higjienike dhe edukative-mësimore. Universiteti ka blerë materialet higjienike kundër COVID-19: sapun i lëngshëm për duar,  sapun i ngurtë për duar, shampo për flokë, detergjent për rroba 8 kg, detergjent për enë 850 ml, peceta higjienike , shampo për dysheme 1 litër, domestos 1 litër, vim i lëngshëm 450 ml – 180 dhe letër tualeti.

Ndërsa prej materialeve edukative-mësimore, universiteti ka blerë lapsa, goma, ngjyra druri pako, mprehëse, gërshërë, ngjyra qiri, plastelinë, letër me ngjyrë, brusha për ngjyrosje, ngjitës letre, kompas dhe set vizoresh.

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani”, Artan Nimani ka thënë për KALLXO.com se kompania e pastrimit është kontraktuar më 15 tetor 2020. Nimani ka deklaruar se dezinfektimi i përgjithshëm bëhet një herë në javë dhe pas secilit ndërrim të studentëve, para e pas provimeve pranuese dhe provimeve të rregullta dhe ligjëratave.

“Sipas nevojës ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe kemi furnizime të mjaftueshme për higjienë dhe dezinfektim. Po ashtu kemi  kontraktuar kompani të caktuar që merret me këtë punë dhe është gjithçka në rregull”, thuhet në përgjigjen e Nimanit.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet në formën online, ndërsa provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen duke respektuar të gjtiha rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së. Ky vendim do të shqyrtohet vazhdimisht, varësisht nga situata e COVID-19 në Kosovë.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.