Fehmi Agani - Foto: Facebook

Në 23-vjetorin e vrasjes, përkujtohet Fehmi Agani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë përkujtuar akademik Fehmi Aganin, në 23-vjetorin e vrasjes së tij.

Osmani ka thënë se Agani ishte dorë e djathtë e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe intelektuali i angazhuar një jetë të tërë në përmbushjen e synimit për shtetin e Kosovës.

E para e vendit ka thënë vënia e autorëve para drejtësisë është synimi i vazhdueshëm.

“Si dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, profesor Agani dha kontribut të çmueshëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Aktiviteti i tij kombëtar u ndal më 6 maj 1999, kur forca të regjimit gjenocidal serb e vranë njërin nga strategët e lëvizjes paqësore. Vënia e autorëve para drejtësisë është synimi ynë i vazhdueshëm”, thuhet në përkujtimin e Presidentes Osmani.

Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se si shkrimtar, si gazetar, si politilog, si sociolog e mbi të gjitha si atdhetar i madh, profesor Agani ishte pjesë e gjeneratës së artë intelektuale e politike shqiptare në Kosovë gjatë fundshekullit të kaluar.

Sipas kreut të LDK-së, vrasja e Aganit “nga forcat ushtarake e policore serbe ishte hakmarrje e qëllimshme ndaj lëvizjes sonë politike për liri e pavarësi. Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të vet Kosovës. Si e tillë, ajo u shndërrua shenjë e pafuqisë së aparatit represiv serb ndaj idesë sonë kolektive për liri e pavarësi”.

“Fehmi Agani ishte ndër figurat kryesore në krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shërbeu si nënkryetar i saj e si dorë e djathtë e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ai ishte i urti i rrugëtimit të fuqishëm për liri e pavarësi. Jeta e tij, veprimtaria e tij politike, është pasuri kombëtare”, ka shkruar Abdixhiku në  Facebook.

“Sot, në përvjetorin e rënies së Prof. Fehmi Aganit, ne nderojmë dhe kujtojmë figurën, rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ai vazhdon të jetë inspirim për rrugëtimin tonë politik drejt të ardhmes”, thuhet mes tjerash në publikimin e tij.

Fehmi Agani është vrarë nga frocat serbe më 6 maj të vitit 1999. Ai ka qenë njëri prej themeluesve të LDK-së dhe deputet nga radhët e kësaj partie.