Pamje nga seanca e Kuvendit - Foto: KALLXO.com

Osmani: Rritja e Pagave Jo 25 Por As 4 Për Qind

Gjatë debatit për Projektbuxhetin 2018 deputeti Naser Osmani tha në Kuvendin e Kosovës se ky buxhet është buxhet shpenzues dhe jo zhvillimor.

“Pagat nuk do të rriten për 20-25% sa kanë premtuar në fushatë, por do të rriten më pak se 4%”, tha deputeti i LDK-së.

Ai potencoi se mungon vullneti për zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe se, sipas tij, në projektbuxhet nuk është trajtuar fare zbatimi i Ligjit për investime strategjike.

“Dominojnë të hyrat direkte nga TVSh dhe akciza në doganë. Ndërkaq të hyrat nga korporatat janë të njëjta, që tregon mungesën e investimeve”, shtoi Naser Osmani.

“Të hyrat nga dividenda është zero. Kjo tregon qe kjo Qeveri s’ka strategji e as plan të qartë”, theksoi deputeti Osmani.

Gjatë prezantimit të Projektbuxhetit 2018, ministri i Financave tha se në vitin e ardhshëm rritja ekonomike e Kosovës do të jetë 4.6 për qind.

KALLXO.com është duke e transmetuar LIVE seancën e sotme të Kuvendit.