Fushata për arsim të mirë | Foto: KALLXO.com

Nis Fushata për Arsim të Mirë në Kosovë

Sot Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, MASHT, në bashkëpunim me organizatën GIZ nga Gjermania filluan Fushatën për Arsim të Mirë në Kosovë.

Fushata synon rritjen e vetëdijes dhe angazhimit të atkerëve kyç të përfshirë në reformën arsimore në Kosovë përmes video-spoteve, billbordeve nëpër gjithë Kosovën, organizimin e shkollave dhe kurseve verore, konsultimeve me prindër dhe Këshillin Kombëtar të Prindërve, konferenca për mësimdhënës, dhe bashkëpunime me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, SBASHK.

Në sajë të fushatës, MASHT gjithashtu nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me të gjitha organizatat dhe akterët e përfshirë në këtë fushatë, me të cilën, sipas ministrit Bytyqi, MASHT zotohet për ngritje të cilësisë në arsim.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, pranoi se fatkeqësisht, “testi PISA nuk na dha rezultatet e duhura”, dhe shtoi se MASHT-i duhet të bëjë më shumë.

Ai u zotua se në vitet në vijim MASHT do të punojnë në krijimin e teksteve dhe hapësirave të reja shkollore, si dhe shtoi se do të kërkojë rritjen e buxhetit për arsim nga qeveria.

“Dua të theksoj se kjo fushatë, veç të tjerash, ka për qëllim të ngritë vetëdijesimin për një (nivel) shkollimi më të lartë, për qasje ndryshe në arsim, që arsimi të jetë prioritet individual, familjar, shoqëror, dhe institucional”, tha Bytyqi.

Chrstian Heldt, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, bëri krahasimin mes rezultateve të ulëta të testit PISA-s të Kosovës në vitin 2015 dhe atyre të Gjermanisë në vitin 2001.

“Media gjermane asokohe filluan një diskutim të ngjashëm, gjë që çoi drejt reformave të shumta. Kështu që asnjë shtet nuk është i liruar nga përmirësimet dhe përditësimet e vazhdueshme në fushën e arsimit”, tha Heldt.

Ai tregoi më tutje rëndësinë e madhe që ka për Gjermaninë fuqia e kualifikuar punëtore.

“Ne si gjermanë e dimë një gjë të tillë, sepse si shtet jemi të varfër nga resurset natyrore dhe duhet të varemi nga epërsia në hulumtime, inxhinieri dhe një fuqi punëtore të kualifikuar për të pasur sukses në tregjet botërore”, tha ambasadori gjerman.

Heldt gjithashtu tha se rinia e Kosovës është resursi i saj më i vlefshëm dhe se i kishin lënë përshtypje aftësitë e të rinjve kosovarë në fushën e teknologjisë informative, të cilat i quajti në nivel botëror.

Për të arritur sukseset e duhura në arsim, Heldt tha se nevojitet një përpjekje e përbashkët e studentëve, prindërve, mësimdhënësve dhe qeverisë.

Prezantimin e detajeve shtesë mbi fushatën e bëri Dr. Boris Scharlowski, ushëheqës i projektit në kuadër të organizatës GIZ.

“Qëllimi i kësaj fushate nuk është vetëm sensibilizues, por për të kontribuuar në ndryshime konkrete shoqërore”, tha Scharlowski dhe shtoi se një gjë e tillë është e arritshme me rritjen e buxhetit të arsimit, që do të dedikohej në mësimdhënës më mirë të kualifikuar dhe tekste shkollore që janë ndërkombëtarisht konkurruese.

“Vetëm një rini e kualifikuar mund t’i kontribuojë ekonomisë së Kosovës dhe të krijojë perspektiva për të ardhmen”, tha Scharlowski, dhe më pas shtoi se për të arritur këtë do të duhet një angazhim më i madh nga (i gjithë) komuniteti”.

Si pjesë e fushatës u shfaq edhe video-klipi promocional i titulluar “Arkitektja e Ardhshme e Kosovës” ku bëhet thirrje për veprim të përbashkët mes të gjithë të përfshirëve në fushën e arsimit.

Më pas, fushata e u zhvendos në Sheshin “Zahir Pajaziti”, ku u bë lansimi publik i saj me pjesëmarrjen e Fatmir Spahiut, Eliza Hoxhës, Gipsy Groove, dhe performancës nga grupi i fëmijëve “Xixëllonjat”.

Në testin e PISA-s të mbajtur në vitin 2015, Kosova u rendit e fundit në Ballkan, e fundit në Europë dhe në vendin e tretë nga fundi mes 72 vendeve që morën pjesë në nivel botëror.

Në shkollat fillore në mbarë Kosovën, në këtë semestër filloi aplikimi i kurrikulës së re, e cila synon përdorimin e metodave interaktive dhe alternative në mësimdhënie.

Sidoqoftë, kurrikula e re ka filluar të implementohet nëpër shkolla pa pasur tekste të reja shkollore që do ta shoqëronin, gjë që ka bërë shoqërinë civile dhe ekspertët e arsimit të dyshojnë mbi meritat dhe aftësinë e kurrikulës së re për të arritur ndryshime.

Ministri Bytyqi beson se problemi që librat të pasqyrojnë kurrikulën e re do të zgjidhet brenda një viti.

“Në vitin e ardhshëm jam i sigurt që do të kemi librat tjerë“, tha ministri Bytyqi, “a do t’i rishkruajmë librat ekzistues, apo do të gjejmë model tjetër që të marrim libra shkencorë nga jashtë, siç e ka bërë Shqipëria, mbetet që së bashku me grupin punues të vendoset”.

01 Nëntor 2017 - 15:54

Artrit Bytyqi 01/11/2017 - 15:54
NDËRVEPRIMI0

KRYESORE

Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend