Remzi Shala | Foto: Drejtësia në Kosovë

Në Gjykimin e ish-Pjesëtarit të UÇK-së Dëshmuan edhe Dy Dëshmitarë

Në gjykimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së Remzi Shala, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për krime lufte, dëshmi sot kanë dhënë edhe dy dëshmitarë.

Gjatë seancës së sotme të gjykimit për privimin nga liria të Haxhi Përteshit nga Duhla e Suharekës, i cili u gjet më pas i vdekur në qershor të vitit 1998, së pari dëshmoi Ferat Shala, i njohur me pseudonimin “Plaku”.

Në fillim trupit gjykues të Gjykatës në Prizren, dëshmitari tha se nuk po kupton arsyen pse e kanë ftuar në Gjykatë dhe kush e ka thirrur.

Me këtë rast prokurori i shtetit i sqaroi arsyen dhe se nga kush është ftuar dhe e luti të tregonte vetëm të vërtetën kur t’i parashtrohen pyetjet.

Ende pa filluar pyetjet, dëshmitari Shala e ceku që nuk mban në mend asgjë.

I pyetur nëse e ka njohur ushtarin me nofkën “Molla e Kuqe”, Ferat Shala tha se ka dëgjuar për këtë pseudonim por se e ka njohur shumë pak.

Ndërsa, dëshmitari tjetër, Shaban Shukolli, tregoi se si e njihte tashmë të ndjerin, Haxhi Përteshin.

Ai tha se si i ri, diku 20 vjeçar, ka qenë i lidhur me Haxhiun me punë.

“Kemi punuar në shitjen e druve rreth 20 vjet së bashku. Gjatë kësaj kohe kemi pasur raporte të mira. Kur kemi ndërprerë punën me dru, Haxhiu i kishte djemtë në gyrbet dhe i kishte kushtet më të mira sesa unë, ndërsa unë vazhdova punën me dru”, tha dëshmitari.

Ai tha se Haxhiu ka qenë shumë i mirë si shok.

Shaban Shukolli tha se kishte dëgjuar në fshat që e kanë marrë Haxhiun, por nuk e di kush e ka marrë dhe ndjen keqardhje për të ndjerin tani.

Asnjërit prej dëshmitarëve nuk iu kujtua se kush ka qenë udhëheqës i fshatit në atë kohë.

Ndërsa të akuzuarin deklaruan që e kanë parë për herë të parë në Gjykatë sot, porse kanë dëgjuar për të, se e kanë njohur vetëm përmes pseudonimit “Molla e Kuqe”.

Prokuroria Speciale më 19 tetor 2016 ngriti aktakuzë ndaj Remzi Shalës për krime lufte ndaj popullatës civile.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Në aktakuzë thuhet se Remzi Shala-“Molla e Kuqe” i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Aktakuza ndaj Remzi Shalës të njohur me nofkën “Molla e Kuqe” u ngrit pas denoncimit të tij nga Agron Përteshi, djali i Haxhi Përteshit.

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë“, Remzi Shala mohoi se ka lidhje me privimin nga liria të Haxhi Përteshit në qershorin e vitit 1998.