Nënshkrimi i marrëveshjes për qasje të Kosovës në programet e BE-së | Foto: MPJ

Kosova me Qasje në Programet e BE-së

Sipas një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme, marrëveshjen për qasjen e Kosovës në programet e BE-së e nënshkruan kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.

Komunikata tregon se marrëveshja e nënshkruar sot është e dyta marrëveshje kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian pas asaj të MSA-së që hyri në fuqi më 1 prill.

Marrëveshjen e nënshkruar e vlerësoi shumë të rëndësishme ministri i jashtëm Enver Hoxhaj.

“Arritja e kësaj marrëveshjjee është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për shkak që i mundëson sektorit privat dhe publik, shoqërisë civile, institucioneve akademike, si dhe qytetareve të Kosovës të konkurrojnë për fonde dhe projekte në kuadër të programeve,” tha Hoxhaj.

Ai tregoi se në cilat fusha mund të konkurrojnë kosovarët me projektet e tyre për të përfituar mbështetjen e programeve të BE-së.

“Programet kanë fushëveprimtari të ndryshme si hulumtimi dhe inovacioni, energjia dhe transporti, shëndetësia, kultura, arsimi, sporti, rinia, zhvillimi i ndërmarrësisë dhe konkurrencës, mbrojtja e ambientit, punësimi, politikat sociale, e shumë fusha të tjera,” tha Hoxhaj.

Komunikata e Ministrisë së Punëve të Brendshme shpjegon se Kosova ishte e interesuar të përfitojë nga programet e BE-së që prej vitit 2009.

Në Bruksel është duke qëndruar edhe Kryeministri Mustafa, pasi në kryeqytetin evropian po mbahet takimi i parë i Këshillit të Stabilizim-Asociimit Kosovë-BE.