Komuna e Prishtinës - Foto: Atdhe Mulla

Komuna e Prishtinës Bllokon Regjistrimin e Veturave të AKP-së

Komuna e Prishtinës ka bllokuar regjistrimin e veturave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Sipas zyrtarëve të AKP-së, 27 vetura nga gjithsej 33 sa i ka ky institucion aktualisht janë të paregjistruara, pasi që Komuna e Prishtinës për të lejuar regjistrimin e tyre ka kërkuar nga AKP që t’i shlyejë obligimet e tatimit në pronë që ndërmarrjet shoqërore kanë ndaj komunës.

“Nga data 24.02.2017 të 27 veturat zyrtare janë të paregjistruara, kurse me datën 21.05.2017 u skadon regjistrimi edhe 6 veturave të mbetura dhe rrjedhimisht AKP nuk do ketë asnjë veturë në shërbim. Kjo ka ardhur si pasojë e pengesave nga Komuna e Prishtinës, të cilët pretendojnë që AKP si administratore e ish-ndërmarrjeve shoqërore, nuk i ka paguar obligimet e tatimit në pronë për këto ndërmarrje”, thuhet në përgjigjet me shkrim që KALLXO.com ka pranuar nga Zyra për Media e AKP-së.

Zyrtarët e AKP-së kanë deklaruar se për t’i shlyer detyrimet tatimore të ndërmarrjeve shoqërore ndaj komunës ka pengesa ligjore, pasi që disa raste nuk mund të procedohen sepse nuk lejohet nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.

Sipas AKP-së, edhe përkundër  vullnetit të këtij institucioni që përmes një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar me Kuvendin Komunal të Prishtinës të realizohen pagesat e tatimit në pronë të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim, gjërat nuk kanë shkuar siç është menduar dhe si rezultat i shumë pengesave objektive.

“Agjencia është e gatshme që të përgatisë raportet e shpërndarjes për ndërmarrjet në likuidim, por ka pengesa nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e Kosovës, e cila në vazhdimësi shkakton vonesa në procesin e shqyrtimit të ankesave të kreditorëve të pakënaqur me vendimet e Autoriteteve të Likuidimit. Mos lëshimi i këtyre vendimeve në shumicën e rasteve  pamundëson përgatitjen e raportit të shpërndarjes, e që rrjedhimisht nënkupton që pamundëson edhe ekzekutimin e pagesave për kreditorët e ligjshëm,  e në këtë rast edhe Komuna e Prishtinës.  Asnjë pagesë nuk mund të bëhet e menjëhershme, por vetëm pasi që të përfundohen të gjithë hapat e paraparë ligjorë”, thuhet në përgjigjet e AKP-së.

Veton  Hajdini, nga AKP-ja, ka thënë se mungesa e  veturave zyrtare ka shkaktuar shumë probleme dhe ka vështirësuar shumë aktivitetet e Agjencisë.

“Në shumë raste, zyrtarët e AKP-së po përdorin veturat private dhe taksitë për çështje që lidhen me punë. AKP aktualisht ka gjithsej 33 vetura zyrtare për nevoja të Agjencisë në zyrën qendrore dhe 5 në zyrat rajonale”, ka thënë Veton Hajdini nga AKP.

Ai ka theksuar se çështja e veturave është urgjente dhe Komuna e Prishtinës duhet ta ketë parasysh që kjo situatë vë në pikëpyetje realizimin e objektivave të AKP-së si agjenci e pavarur dhe përmbushjen e kërkesave ligjore që dalin nga ligji i AKP-së i miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe ligjet tjera që lidhen me fushëveprimin e AKP-së.

KALLXO.com  ka kontaktuar me Adonis Tahirin për të marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës, por ende nuk ka pranuar përgjigje.