Komisioni Shtyn Miratimin e Vendimeve për Licencat e Qymyrit

Projektet e kompanive “Envidity Energy Kosova LL.C”, bordi i së cilës drejtohet nga gjenerali Wesley Clark dhe “Sharrcem” e “Titan America” që kanë kërkuar licencë për shfrytëzim të thëngjillit, i paraqiti para Komisionit për Zhvillim Ekonomik ministri i Financave Avdullah Hoti.

Hoti në fillim foli për projektin e kompanisë “Envidity…” që synon nga qymyri të prodhojë naftë sintetike.

“Projekti i ka të bëjë me gazifikimin nëntokësor përmes metodës teknologjike e cila mundëson prodhimin e naftës sintetike nga procesi i gazifikimit të thëngjillit. ‘Envidity’ do të fillojë projektin në dy faza-në fazën e parë kompania synon të prodhojë 1,200 barelë derivate për ditë, kurse në fazën e dytë synon të prodhojë 20 mijë barelë për ditë,” tha Hoti.

Hoti tregoi edhe mjetet që do të investojë “Envidity…”

“Në fazën e parë priten të investohen 130 deri 150 milionë dollarë, në fazën e dytë 1.8  deri 2 miliardë dollarë dhe në fazën e tretë mbi 5 miliardë dollarë,” tha Hoti.

Hoti më pas dha detaje për projektin e “Sharrcemit” dhe “Titan America”-s që synojnë prodhimin e thëngjillit të imët.

“Kompania ‘Sharrcem’ përmes propozimit investues të quajtur ‘Prometeus’ ka shprehur interesim për eksploatimin, terjen dhe pulverizimin e qymyrit nga baseni qymyror i Dukagjinit, gjegjësisht nga fushat Tuqep-Kusar,” tha Hoti.

Ai tregoi se Kosova do të përfitojë një taksë minerare prej 70 milionë eurosh nga projekti i “Sharrcemit” dhe “Titan America”-s.

“Në fazën finale ‘Sharrcem’ zotohet se do të investojë 15 deri 35 milionë euro në teknologjinë e bluarjes së thëngjillit, prodhimit të thëngjillit të imët për djegie,” tha Hoti.

Anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe deputeti Raif Qela tha se për këto projekte, sidomos atë të “Envidity…” ka shumë pikëpyetje.

“Problemi kryesor është se gjithkund në botë ka vërejtje të mëdha për gazifikimin nëntokësor të qymyreve dhe kjo nuk është vetëm prej shoqërive ambientaliste por edhe prej shkencëtarëve të cilët vijnë në përfundimin se pasojat për ambientit mund të jenë fatale për atë vend po qe se nuk ndërmerren masa paraprake shumë të rrepta,” tha deputeti Qela.

Dyshime për projektin e “Envidity…” shfaqi edhe deputeti i LDK-së Blerim Grainca, ndërsa deputeti i AAK-së Pal Lekaj tha se vota e tij sot për vendimet e qeverisë rreth licencave do të jetë kundër.

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik Muhamet Mustafa propozoi që të bëhen rekomandime dhe vendimet e qeverisë për licencat të aprovohen më pas.

“Na duhet me i ndihmu Kuvendit me marrë vendime. Për t’i ndihmuar Kuvendit me marrë vendime do t’i formulojmë rekomandimet me kujdes, do ta dëgjojmë edhe një herë debatin, do t’i këqyrim të gjitha. Në mbledhjen tjetër e aprovojmë,” tha Mustafa.

Për kërkesën e kompanisë “Envidity” që ta shfrytëzojë qymyrin e një të tretës së Kosovës Gazeta jeta në Kosovë publikoi një hulumtim në shtator.

Kompania e Wesley Clark Kërkon Monopolin në Qymyrin e Kosovës