Ilustrimi për Prishtina Insight nga Diellza Gojani

Fatura ‘e papaguar’ shëndetësore

Kriza energjetike e ka shtyrë Korporatën Energjetike të Kosovës të shesë dhe madje të japë qymyr falas– pavarësisht shqetësimeve për ndikimin e dëmshëm në shëndetin e njerëzve.

Gjatë dimrit, kutia e sobës së kuzhinës duhet të mbushet me qymyr rreth gjashtë herë në ditë për të ngrohur një shtëpi me madhësi standarde në Kosovë.

Së bashku me nxehtësinë, fillon të përhapet një erë e pakëndshme dhe tym nga djegia e fosileve të nxjerra nga tre kilometra nën sipërfaqen e tokës.

Për të mbajtur nivelin e temperaturës, soba duhet të mbahet e ngopur me qymyr – një lëndë djegëse që ndot ajrin dhe dëmton organizmin e njeriut.

Pavarësisht rrezikut për shëndetin, thëngjilli ende shihet si një materie e rëndësishme për ngrohjen e shtëpive në Kosovë.

Edhe pse gjatë gjithë kohës dëgjojmë zëra e premtime institucionale për vendosjen e praktikave për energji me burimet të ripërtrishme për të siguruar ngrohjen gjatë dimrit dhe për të zbutur krizën energjetike, me rekomandimin e Komitetit Teknik Emergjent të themeluar nga Ministria e Ekonomisë, KEK për këtë dimër me duar të veta po iu shet qymyr qytetarëve të saj.

95 përqind e energjisë që konsumohet në Kosovë vjen nga djegia e thëngjillit. Përpos prodhimit të energjisë elektrike në nivel qendror nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B në Obiliq, thëngjilli është burimi kryesor i energjisë edhe nëpër shtëpi private.

Kosova është e pasur me linjit, një përmbajtje e butë e qymyrit që është versioni më ndotës i thëngjillit, sepse krijon ndotje toksike kur digjet.

Pra, kostoja e fshehur e kësaj energjie “të lirë” është fatura shëndetësore që paguajnë kosovarët për shkak të gripit, sëmundjeve të frymëmarrjes dhe mushkërive që qytetarët, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit i vuajnë si pasojë e ajrit të ndotur.

Foto: Antigonë Isufi/BIRN

“Ne e dimë se është e dëmshme, por nuk kemi zgjidhje tjetër”

Familja tetë anëtarëshe Gërguri, nga Bardhi i Madh i Fushë Kosovës, planifikon të blejë 10 tonë thëngjill këtë dimër për të ndezur dy soba dhe një sobë kuzhine.

Ata janë të vetëdijshëm se qymyri është i dëmshëm për shëndetin e tyre, por nuk shohin zgjidhje tjetër për të kaluar një dimër të vështirë.

KEK planifikon të shesë për qytetarët gjithsej rreth 150 mijë tonë qymyr nga miniera e Sibovcit në Obiliq.

Por qeveria ka vendosur që KEK të dhuroj dhjetëra mijëra ton qymyr për 3,600 punëtorët e saj për të ngrohur shtëpitë e tyre – tetë deri në 10 ton për person – ndërsa vendi po përgatitet për më shumë ndërprerje të energjisë gjatë dimrit.

Më 21 shtator, Ministria e Ekonomisë ka marrë vendim që punëtorëve të KEK-ut t’u jepet qymyr pa pagesë. Ky vendim u mor gati katër vite pasi ministri i atëhershëm i Ekonomisë, Valdrin Lluka, në vitin 2018, ndaloi dhënien e qymyrit si dhuratë për punëtorët, për të reduktuar ndotjen e ajrit.

I informuar se KEK do t’ua shesë qymyrin për 60 ditë kalendarike qytetarëve dhe bizneseve gjatë këtij dimri, Hashim Gërguri ka vendosur që këtë vit të mos e blejë nga tregtarët ilegalë, por nga vetë KEK-u, për shkak të çmimit të favorshëm.

Qymyri kushton 15 euro për ton, plus 30 euro për të ngarkuar një kamion prej dhjetë tonësh, plus 2.40 euro për km për transport. Me një llogaritje të thjeshtë, familja Gërguri do të paguajë rreth 250 euro për një ngarkesë kamioni.

 “Ne jemi përdorues të thëngjillit edhe pse e dimë që është i dëmshëm por nuk kemi tjetër rrugëdalje, se nuk po kemi mundësi të bëjmë ndonjë zgjidhje tjetër dhe vetëm këtë duhet ta përdorim për nxemje”- thotë Gërguri në një intervistë për Prishtina Insight.

Ndotja e ajrit, përfshirë qymyrin që është një ndër ndotësit më të mëdhenj, shkakton sëmundje në sistemin e frymëmarrjes, kardiovaskular, nervor dhe riprodhues.

Pulmologu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpëtim Thaçi në një intervistë për Prishtina Insight shpjegoi pasojat e përdorimit të qymyrit për ngrohje.

“Si pasojë e ndotjes nga qymyri mundësia e zhvillimit të sëmundjeve si bronhiti kronik. Njëkohësisht mendohet që grimcat e lëshuara si pasojë e djegies së qymyrit ndikon edhe në zhvillimin të kanceromave të mushkërive duke ndikuar kështu në rrezikun e jetës së këtyre pacientëve”- tha Thaçi.

Kryefamiljari i familjes Gërguri është në dijeni për pasojat e djegies së qymyrit në shëndet. Ata kanë provuar përdorin për ngrohje me dru por ka qenë çmim i papërballueshëm për ta.

“Një kamion qymyr kushton rreth 250 euro që na del për një dimër. Kurse nëse përdorim dru na duhen rreth 15 metra që kushtojnë rreth 1200 euro”- tha Hashim Gërguri.

Për të trajtuar sëmundjet e shkaktuara nga ndotja, xhepit të shtetit dhe të qytetarëve i kushton më shumë se sa fatura e rrymës. Terapia për të trajtuar pasojat e ndotjes së ajrit në sistemin respirator është e shtrenjtë për t’u përballuar.

Kostot totale ekonomike të vlerësuara të ajrit të ndotur për shëndetin e njerëzve në Kosovë variojnë nga 37 deri në 158 milionë euro në vit, ose 0,89 deri në 3,76 për qind të GDP-së, sipas dokumentit të veprimit “BE për Mjedisin”.

“Trajtimi i këtyre sëmundjeve në një periudhë një vjeçare është rreth 500 euro për një pacient. Për një person që vuan nga sëmundjet kronike e detyrohet të përdor terapi kronike e që është terapi bukur e shtrenjtë e që njihet si tripoterapi, pra, që janë tri grupe të barnave”- tha Thaçi.

Sipas tij, këto barna të grupuara në tri grupe janë jashtëzakonisht të shtrenjta, pa përfshirë koston kur më së pakti pacientët duhet të hospitalizohen më shumë se një herë, për një ose dy javë.

Në anën tjetër, Gërguri thekson që aq shumë e kanë përdorur qymyrin sa që janë bërë imun edhe ndaj aromës së keqe që kaplon shtëpinë gjatë dimrit. Ai thotë që nëse shteti ia ofron një mundësi më të mirë që mund ta përdorin për ngrohje, atëherë me kënaqësi do heqin dorë nga qymyri.

Disa banorë të fshatrave Zhilivodë dhe Stroc të komunës së Vushtrrisë, zona në të cilat ata nxjerrin qymyr vetë nga gropat e mëdha të qymyrit, dhe e përdorin atë në secilën shtëpi thonë për Prishtina Insight që qymyri është i vetmi burim i tyre financiar dhe i ngrohjes.

Gjatë gjithë jetës këta banorë nuk kanë punuar asgjë tjetër përpos nxjerrjes së qymyrit dhe janë detyruar të njëjtit ta përdorin për ngrohje, jo për shkak se e duan këtë punë e cila është e rrezikshme për shëndetin e tyre, por që asnjëherë nuk kanë zgjidhje tjetër.

“Na këtu jemi lindë e rritë, çka të punojmë e si të jetojmë ndryshe? Le të na gjejnë punë tjetër ma të mirë e le ta na ofrojnë zgjidhje ma të mira për ngrohje, atëherë unë sot e la këtë punë që aq sa ma rrezikon jetën, aq edhe më ndihmon me jetu”- tha një banor i cili dëshiron të mbes anonim.

Nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të trajtuar të gjithë pacientët 

64 vjeçari Ali Xhigoli prej që e mban mend veten, e mban mend që shtëpinë e kanë ngrohë me qymyr. Vetë punon në KEK, por ka provuar që të përdor lëndë tjetër për ngrohje gjë të cilën nuk e ka arritur për shkak të kostos së lartë.

Ai këtë vit ka marrë falas nëntë tonë thëngjill nga KEK-u dhe ka blerë gjashtë tonë të tjerë.

Xhigoli, kryefamiljari i familjes pesë antarëshe nuk sheh zgjidhje tjetër për momentin, anipse e dinë që do të pësojnë nga komplikimet që shkakton te njeriu. 

Edhe pse në QKUK nuk ekziston një databazë për numrin e vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur, pulomologu Thaçi thotë që gjatë sezonës vjeshtë – dimër është një fluks i madh i personave që trajtohen e hospitalizohen në Klinikën Pulmologjike. 

“Nevojat dhe kapacitetet e një Klinike të tillë duhet të rriten, marrë parasysh që kemi një shkallë të lartë të ndotjes, rrjedhimisht mundësinë e zhvillimit të sëmundjeve të ndryshme pulmologjike. Kapacitetet tona shpesh herë janë të mbushura si pasojë nevojës së madhe të cilat kërkojnë trajtim për një periudhë të caktuar kohore”- shpjegoi Thaçi.

Klinika e Pulmologjisë ka vetëm 66 shtretër, kapacitete që sipas Thaçit nuk arrijnë as të përmbushin kërkesat e zakonshme për hospitalizimin e pacientëve.

Sipas dokumentit të BE-së për Mjedisin për vitin 2021, rreth 760 njerëz vdesin para kohe çdo vit në Kosovë nga ndotja e ajrit.

Thaçi potencoi që kjo gjendje është pasojë e djegies e materieve të dëmshme për ngrohje në dozë më të madhe se zakonisht. Ai thotë që këto sëmundje janë të lidhura në mënyrë direkte nga niveli i ndotjes në njërën anë dhe intervali kohor se sa këta persona rrinë nën këtë ajër. 

Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se efektet e kombinuara të ndotjes së ajrit të ambientit dhe ndotjes së ajrit të brendshëm shkaktojnë rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në vit.

Ndotja e ajrit në amvisëri ishte përgjegjëse për rreth 3.2 milionë vdekje në vit globalisht në vitin 2020, duke përfshirë mbi 237,000 vdekje të fëmijëve nën moshën pesë vjeç.

Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Kriza energjetike rijetësoi fosilet

“Kosovën do ta pres një dimër i vështirë”- janë fjalët që e kanë përcjellur vendin ende pa përfunduar dimri i kaluar. 

Kriza energjetike e cila kaploi Evropën që nga viti i kaluar, la plagë të mëdha në Kosovë. Shtetet evropiane janë përballur me krizën energjetike të shkaktuar nga rritja e madhe e çmimit të gazit, karburant nga i cili vareshin shumë shumica e vendeve evropiane.

Ekspertja nga Organizata Botërore për Mjedis, Krenare Salihu, tha për Prishtina Insight se Agjenda e Gjelbër dhe objektivat evropiane për dekarbonizimin janë zhvendosur “në heshtje” nga prioritetet e disa vendeve të BE-së.

Ndër zotimet tjera, qeveria e Kosovës premtoi se do të ndjekë politikat për reduktimin e përdorimit të thëngjillit, agjendë e cila tashmë ka qenë premtim i qeverive të ndryshme.

Me krizën energjetike, pa zgjidhje tjera, ky premtim është lënë mënjanë në heshtje.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, tha për Prishtina Insight se vendimi për shitjen e thëngjillit është i paprecedentë. Asnjë qeveri tjetër në të kaluarën nuk i kishte thënë KEK-ut që t’ua shesë qymyrin qytetarëve për ngrohje.

Vendimi për lejimin e shitjes së thëngjillit nga KEK, i marrë nga qeveria nga pushtet, Vetëvendosje, është pjesë e masave të marra për zbutjen e krizës energjetike dhe i referohet rekomandimit të Komisionit Teknik Emergjent.

Ndërkohë, investitorët në energjinë e rinovueshme ankohen për një politikë të qëllimshme për t’i larguar ata nga investimi në energji të rinovueshme në Kosovë, duke i shtyrë ata të shkojnë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ku procedurat janë më efikase dhe më të shpejta.

Viola Von Cramon, raportuese e BE-së në Kosovë, tha troç në vizitën e saj të fundit në Kosovë se “nuk ka vullnet politik” për të promovuar investimet e rinovueshme në Kosovë.

“Ka mungesë të vullnetit politik dhe pasiguri të madhe se si të bëhet kjo. Mendoj se inxhinierët kryesorë, njerëzit kryesorë që janë në krye të këtij sistemi energjetik, mund të jenë pak më të vjetër dhe jo aq të avancuar për sa i përket energjisë së rinovueshme, progresive dhe të decentralizuar”- tha Von Cramon në një intervistë për BIRN.

Shitja e thëngjillit pritet të zgjasë prej 20 tetorit deri më 20 dhjetor, ndërsa pas kësaj, kushtet atmosferike me shumë gjasa nuk do ta lejojnë KEK-un ta vazhdojë këtë, thotë Bucolli.

Sipas Raportit të Progresit për Kosovën 2022 të Komisionit Evropian, thëngjilli përveç se është burim kryesor i gazrave serë, gjithashtu shkakton probleme serioze shëndetësore dhe mjedisore. 

“Qeveria e Kosovës ka draftuar një strategji ambicioze energjetike, që përfshinë edhe më shumë pjesëmarrje të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, sidoqoftë, për shkak të krizës energjetike, miratimi i kësaj strategjie është tejzgjatur”- shkruan në raport.

Por, Salihu thotë që anipse është e ditur se Kosovën e pret një dimër i vështirë sa i përket furnizimit me energji, por shumë pak po flitet se e pret po ashtu një ‘ngulfatje’ sa i përket ndotjes së ajrit. 

“Kriza energjetike globale, e ka gjetur Kosovën të pa përgatitur për të përballuar nevojat e furnizimit me energji nga prodhimet vetanake. Kjo krizë, Kosovën e ka ‘befasuar’ sikurse shpesh na ‘befason’ bora në mes të dimrit”- tha ajo.

Energjia dhe mjedisi nuk kanë qenë prioritet i asnjërës nga qeveritë deri me tani, nuk është investuar mjaftueshëm në efiçencë të energjisë në objekte publike dhe private, vlerëson ajo.

Megjithatë, në qershor, Ministria e Ekonomisë ka ndarë 6 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve të efiçiencës ekonomike, nga të cilat tha se do të përfitojnë 10 mijë familje.

Kjo vlen për shtëpitë që janë të izoluara dhe përdorin një pompë nxehtësie, një pompë nxehtësie ajër-ajër të tipit inverter me efikasitet të lartë, kaldaja me biomasë (dru, pelet, briketa) dhe soba individuale me biomasë.

Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ende të varur nga qymyri

Varësia e Kosovës ndaj qymyrit është kritikuar negativisht edhe në Raportin e Progresit 2022 për Kosovën nga Komisioni Evropian. Ndër të tjerash, theksohet që Kosova vazhdon të jetë e varur nga thëngjilli, ndërsa progres i kufizuar është shënuar në fushën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

KEK-u nxjerr mesatarisht 8 deri në 9 milionë tonë qymyr në vit për termocentralet, ndërsa shet 200 deri në 400,000 tonë në vit. Të dhënat zyrtare tregojnë se Kosova ka rezervat e pesta më të mëdha të linjitit në botë me 12 deri në 14 miliardë tonë.

Në anën tjetër, Krenare Salihu thotë për Prishtina Insight që reduktimi i ndotjes është esencial për zhvillimin e shoqërisë së shëndoshë. 

“Furnizimi i amvisërive me qymyr dhe rritja e përdorimit të drurit si lëndë djegëse për ngrohje pritet të mbyt ajrin në dimër”- thotë Salihu.

Sipas saj, ndotja e ajrit duhet të trajtohet urgjentisht, pasi është një nga faktorët kryesorë që shkakton sëmundje në sistemin e frymëmarrjes dhe vdekje të parakohshme.

Në raportin për cilësinë e ajrit të publikuar në vitin 2018 nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, thuhet se nga ajri i ndotur në Kosovë kanë vdekur 3 mijë e 700 persona brenda një viti. 

Kosova renditet në vendin e 69-të nga 118 shtete për sa i përket ndotjes së ajrit, sipas Indeksit të Cilësisë së Ajrit.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.