Jakup Krasniqi Refuzon Dekorimin nga Thaçi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën Jakup Krasniqi ka treguar se e refuzon dekorimin nga Thaçi në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Krasniqi u dekorua dje nga Thaçi me medaljen për dhjetëvjetorin e pavarësisë, si pjesë e ish-Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Ai në një postim në facebook ka treguar pse refuzon dekoratën.

“Veprimtarinë time politike nuk e kam nisur as për pozita, as për pasuri dhe as për dekorime”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka deklaruar se e ka nisur karrierën e tij politike vetëm pse e ka dashur lirinë.

“Kam filluar të merrem me politikë para 45 viteve, thjesht pse e kam dashur lirinë e kombit tim dhe pse Atdheut tim ia kam pasur borxh që t’ia bëj shërbimin pa hile”, ka shkruar më tutje Krasniqi.

Krasniqi ka thënë për Thaçin se ai “po bën pazare politike me mirënjohje e dekorata”, ndërsa veprimet e tash Presidentit të Kosovës i ka konsideruar “që nga viti 2010 e këndej, kanë qenë rrënuese për shtetin e kombin”.

Krasniqi më tutje ka thënë se është fyer nga Thaçi.

“Refuzoj te dekorohem nga Hashimi, i cili personalisht me ka fyer dhe jo vetëm në aferën ‘Pronto’”, ka shkruar Krasniqi, duke treguar se pas Rambujesë “duke ju thënë anëtarëve tjerë të SHP të UÇK-së se gjoja unë e ndonjë tjetër në atë Konferencë jemi bërë me “armiqtë e tij politikë”- LDK-në”.

Krasniqi ka thënë se i vjen keq që refuzimin e dekoratës po e bën publike në dhjetëvjetorin e pavarësisë.

KALLXO.com shkroi mbrëmë se Thaçi dekoroi edhe persona të dënuar me aktakuzë.

http://kallxo.com/njerez-te-denuar-e-te-akuzuar-nder-te-dekoruarit-e-presidentit-thaci/

Partia e Jakup Krasniqit Nisma është në koalicion me PDK-në, AAK-në e Listën Serbe në qeveri.

Jakup Krasniqi ishte pjesë e PDK-së kur ajo drejtohej nga Hashim Thaçi, derisa në vitin 2014 bashkë Fatmir Limajn dolën nga kjo parti, për ta krijuar më pas Nismën për Kosovën.