Gjykimi i Sllobodan Gavriqit | Foto: KALLXO.com

Gjykata Kushtetuese Vendosi për Ankesën e Slobodan Gavriqit

Serbit që më 25 dhjetor të vitit 2014 ju gjetën në veturën që po e drejtonte  më shumë se 12 kg eksploziv në  Prishtinë dhe i cili u dënua me 11 vjet burg, i është refuzuar kërkesa edhe nga një gjykatë e Kosovës.

Gjykata Kushtetues e Kosovës e ka cilësuar si të papranueshme kërkesën e Slobodan Gavriq drejtuar kësaj Gjykate e në të cilën pretendonte se i ishin shkelur të drejtat dhe liritë e tij.

Gavriq pretendonte në shkelje të së drejtës kushtetuese që ka të bëjë me gjuhët dhe asaj të barazisë para ligjit, raporton KALLXO.com.

Gavriq përmes kërkesës së tij drejtuar Kushtetueses më 2 gusht të vitit të kaluar kontestonte vendimin e Gjykatës Supreme të datës 3 prill 2017 me të cilin ishte refuzuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit të Gjykatës Themelore.

“Gjykata konkludon se provat e paraqitura nga parashtruesi i kërkesës në asnjë mënyrë nuk e justifikojnë se ai ishte dënuar për kryerjen e veprave penale të cilat nuk janë përcaktuar si vepra penale në ligj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtuese që e gjen të papranueshme kërkesën e Gavriq.

Në dhjetor të vitit 2014  Gavriq ishte nxënë duke transportuar 23 paketime me eksplozivë me peshë të përgjithshme rreth 12 kilogramë.

Lidhur me këtë, më 10 korrik 2015 prokurori i shtetit kishte ngritur aktakuzë ndaj Gavriq për veprën penale të përgatitjes së veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, ndërsa gati një vit më pas, Gjykata Themelore e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 13 vjet burg ndërsa duke vendosur sipas ankesës, Gjykata e Apelit ja kishte zbritur dënimin në 11 vjet burg.

Ndaj vendimit të Apelit, Gavriq i ishte drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme të Kosovës duke pretenduar se ishte shkelur Kodi Penal i Kosovës pasi që versionin në gjuhën serbe të Kodit Penal të Kosovës veprimet e të akuzuarit nuk paraqesin figurën e veprës penale për të cilën ishte dënuar pasi që sipas pretendimeve versioni në  gjuhën serbe “nuk parashihte futjen e materialeve në territorin e Kosovës”.

Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë ishte refuzuar nga Gjykata Supreme e Kosovës me arsyetimin se “Gjykata e shkallës së dytë i kishte vërtetuar të gjitha faktet relevante lidhur me këtë çështje juridike dhe përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale”.

KALLXO.com kishte raportuar në vazhdimësi lidhur me procesin ndaj Gavriq ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.