Futbollisti Alves dënohet me katër vjet e gjysmë burgim për përdhunim

Një gjykatë në Spanjë e ka shpallur fajtor ish-futbollistin e Barcelonës dhe të Brazilit, Dani Alves, për përdhunimin e një gruaje në një klub nate në Barcelonë.

Ai është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim.

Mbrojtësi 40-vjeçar, i cili është ndër futbollistët me më së shumti trofe të fituar në histori, nuk e kishte pranuar se e kishte sulmuar gruan në fjalë mëngjesin e hershëm të 31 dhjetorit 2022.

Avokati i tij kishte kërkuar lirimin e tij dhe Alves mund të ankohet ndaj këtij dënimi.

Përveç dënimit me katër vjet e gjysmë burgim, gjykata e urdhëroi Alvesin edhe t’ia paguajë 150.000 euro viktimës.

Prokurorët thanë se Alvesi dhe miku i tij kishin sjellë shampanjë për tri gra të reja, para se ta joshnin njërën prej tyre në një zonë VIP të klubit të natës, ku kishte edhe tualet për të cilin ajo nuk ishte në dijeni.

Ata argumentuan se aty Alvesi u bë i dhunshëm, duke e detyruar gruan të kryejë marrëdhënie seksuale me të, pavarësisht kërkesave të saj të vazhdueshme për t’u larguar.

Alves e kishte përsëritur se ajo ka mundur të largohej “po të donte”. Megjithatë, gjykata gjeti se ajo nuk u pajtua për marrëdhënie seksuale me të.

Gjykata tha se kishte dëshmi, përveç deklaratës së viktimës, që vërtetuan se ajo ishte përdhunuar.

Gruaja tha se përdhunimi i kishte shkaktuar “terror dhe agoni”, ndërsa një mike e saj që kishte qenë në klub nate me të tregoi se si 23-vjeçarja kishte qartë në mënyrë të pakontrolluar pasi kishte dalë nga tualeti.

Alvesi është mbajtur në paraburgim prej janarit 2023 në Barcelonë, ndërsa rrëfimin e ka ndryshuar disa herë.

Së pari e kishte mohuar se e njihte viktimën, para se të pretendonte më vonë se e kishte takuar në tualet por se asgjë mes tyre nuk kishte ndodhur.

Ai pastaj e ndryshoi deklaratën përsëri, duke thënë se kishte marrëdhënie seksuale me të me bashkëpajtim. “Të dy po e shijonim”, kishte pretenduar ai.

Prokuroria kishte kërkuar dënim me nëntë vjet burgim. Në Spanjë, akuzat për përdhunim hetohen në bazë të akuzave të përgjithshme për sulm seksual, ndërsa dënimet mund të arrijnë deri në 15 vjet burgim.

Alvesi i ka zhvilluar më shumë se 400 ndeshje për Barcelonën, duke i fituar gjashtë tituj të ligës në Spanjë dhe tri kupa të Ligës së Kampionëve.

Ai ishte edhe pjesë e Kombëtares së Brazilit në Kupën e Botës 2022.