Salih Mustafa-Seanca ne Apel DHSK

Pikat e ankesës që iu aprovuan dhe ato që iu refuzuan Salih Mustafës

Në procesin e Apelit, Salih Mustafa ka paraqitur nëntë pika të ndara në 51 nënpika, por Apeli ka hedhur poshtë tetë prej tyre, duke gjetur vetëm një gabim në lartësinë e dënimit.

Më 14 dhjetor 2023, u mor aktgjykimi i parë i Dhomave të Specializuara (DHSK) në shkallë të dytë kundër Salih Mustafës i akuzuar për krime lufte.

Ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafës iu ul dënimi nga 26 në 22 vjet burgim.

Apeli i Gjykatës Speciale ul në 22 vjet burgim dënimin ndaj Salih Mustafës

Sipas përmbledhjes së aktgjykimit të Apelit ndaj Mustafës, ai kishte dorëzuar në Apel kundër vendimit të shkallës së parë nëntë pika duke përfshirë 51 nënpika.

Në lidhje me pretendimet për gabime në cilësimin e konfliktit në Kosovë dhe pranimin e provave, paneli i Apelit ka vlerësuar se trupi gjykues ka zbatuar kritere të sakta dhe nuk ka gjetur asnjë gabim në këtë cilësim.

Po ashtu, pretendimet e Mustafës lidhur me vlerësimin e dëshmitarëve janë hedhur poshtë, duke konfirmuar se trupi gjykues ka aplikuar një metodologji të drejtë dhe të rregullt.

“Paneli konfirmon se Trupi Gjykues ka aplikuar një metodologji të rregullt dhe të drejtë në vlerësimin e dëshmitarëve. Trupi Gjykues ka trajtuar me kujdes çështjen e besueshmërisë së dëshmitarëve, duke analizuar faktorët si lidhjet e tyre me UÇK-në, mospërputhjet në dëshmitë”- thuhet në përmledhjen e aktgjykimit.

Ndërsa Mustafa kishte kundërshtuar disa konstatime mbi vendin e kryerjes së krimeve, paneli i Apelit ka vlerësuar se trupi gjykues ka bërë konstatime të sakta dhe se pretendimet e tij nuk i dëshmojnë kundërshtimet.

“Mustafa pretendoi se Trupi Gjykues gaboi në konstatimin se kompleksi i ndalimit në Zllash “kontrollohej” nga BIA. Paneli vlerëson se argumentet e tij nuk e dëshmojnë kundërthënien e vlerësimit të trupit Gjykues”- thuhet në përmbledhjen e aktgjykimit.

Pretendimet e Mustafës për mosmarrjen parasysh të mbrojtjes përmes alibisë janë hedhur gjithashtu poshtë nga paneli i Apelit, duke vlerësuar se trupi gjykues ka vepruar në përputhje me ligjin dhe nuk ka bërë gabime në këtë drejtim.

“Paneli i Apelit vëren se Trupi Gjykues nuk ka bërë gabime në konstatimet faktike lidhur me alibinë e  Mustafës. Konstatimet janë përcaktuar në mënyrë të saktë dhe të rëndësishme, duke analizuar nëse prova e alibisë mund të krijojë dyshim të arsyeshëm në lidhje me praninë e tij në Zllash”- sqarohet mes tjerash në përmledhje.

Në lidhje me konstatimet për krimet e luftës, si vrasja e paligjshme dhe tortura, paneli i Apelit ka mbështetur konstatimet e trupit gjykues dhe ka vlerësuar se nuk ka prova që të kundërshtojë përcaktimet e tyre.

“Në vijim të shqyrtimit të pretendimeve të Mustafës në lidhje me vrasjen e paligjshme, Paneli i Apelit ka analizuar me kujdes argumentet dhe ka arritur në përfundime se Trupi Gjykues ka përdorur standardin e “kontributit të konsiderueshëm” për vlerësimin e saktësisë juridike, duke u mbështetur në jurisprudencën e gjykatave ndërkombëtare. Paneli përfundon se përcaktimi i kohës së vdekjes ishte i saktë dhe nuk kërkon një përcaktim të saktë të rrethanave”- shpjegohet në aktgjykim.

Në pikat 6 dhe 7 të Apelit, Mustafa ka shprehur kundërshtime në lidhje me konstatimet e Trupit Gjykues lidhur me krimin e luftës të torturës, veçanërisht në lidhje me numrin e personave të keqtrajtuar dhe synimin kriminal.

Paneli i Apelit ka shqyrtuar me kujdes pretendimet e tij dhe ka arritur në përfundime të qarta se mes tjerash keqtrajtimi nuk është kufizuar vetëm në aspektin fizik, por ka përfshirë edhe keqtrajtim psikologjik dhe kushte çnjerëzore.

Paneli konfirmon se përfundimi i Trupit Gjykues është mbështetur në dëshmitë e dëshmitarëve okularë dhe është argumentuar me mjaftueshmëri.

Në pikën 8 të Apelit, ai ka adresuar konstatimet e Trupit Gjykues lidhur me krimin e luftës të ndalimit arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar.

Megjithatë, Paneli i Apelit ka analizuar me kujdes argumentet dhe ka konstatuar se Mustafa nuk ka arritur të provojë asnjë gabim juridik në vendimet e mëparshme të Dhomës së Gjykatës së Apelit.

Në përpjekje për të mbrojtur qëndrimin e tij, Mustafa ka kërkuar që çështja t`i dërgohej për shqyrtim Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, Paneli e ka rrëzuar këtë kërkesë, duke vlerësuar se Mustafa nuk ka ofruar argumente të mjaftueshme për të mbështetur një shqyrtim të tillë, duke lënë kësisoj konstatimet e Trupit Gjykues në fuqi.

Në pikën 9, sa i përket lartësisë së dënimit lidhur me krimet e luftës, Paneli i tejkaloi kufijtë e diskrecionit në këtë rast.

“Paneli i Apelit konstaton se në rastet e Tribunalit të Hagës dhe gjykatat e Kosovës për krime lufte të krahasuar me rastin e Mustafës, dënimet e dhëna ishin më të shkurtra, ndonëse plotësisht i vetëdijshëm për diskrecionin, paneli konstaton se mospërputhja midis dënimit të z.Mustafa dhe dënimeve që analizoi paneli, tregon se trupi gjykues i tejkaloi kufinjtë e diskrecionit në këtë rast”- thuhet në aktgjykim.

Andaj Gjykata duke i dhënë Mustafës dënime jashtë proporcionit të arsyeshëm krahasuar me një varg dënimesh të dhëna në rrethana të ngjashme për vepra penale të ngjashme, ka kryer një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë.

“Bazuar në sa u tha më lart, Paneli i Apelit pranon pjesërisht kundërshtimet e z.Mustafa ndaj konstatimeve të Trupit Gjykues në lidhje me dënimin, dhe rrëzon pjesën e mbetur të Pikës 9 të Apelit. Së fundi, Paneli i Apelit thekson se ka lënë në fuqi verdiktet e fajësisë së z.Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme (Pikat 1, 3 dhe 4 të Aktakuzës), për të cilat u konstatua se mbante përgjegjësi penale individuale. Dhomat e Specializuara kanë juridiksion vetëm mbi individë, jo mbi grupe apo organizata. Për këtë arsye, as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi gjyqësor dhe nuk mbahen përgjegjës apo fajtorë për këto krime”- thuhet në përmbledhje të aktgjykimit.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbrojtur dënimin prej 26 vjetësh, duke e vlerësuar si proporcional dhe të drejtë. Në anën tjetër, mbrojtja e tij,  Julius Von Bone, në dosjen e publikuar ka shprehur kundërshtime,  duke argumentuar se dënimi i Mustafës është shqyrtuar në mënyrë të padrejtë, duke u bazuar në rrethanat e gabuara.

Salih Mustafa ka qenë komandant i njësisë guerile BIA, që operonte brenda Zonës Operative të Llapit të UÇK-së. Aktakuza e ngarkon atë me përgjegjësi penale për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit  dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

Në lidhje me këto akuza Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ndërkaq, ky rast përfshin 8 viktima pjesëmarrëse.

Gjykimi nisi më 15 shtator 2021 dhe u mbyll më 4 shkurt 2022. Pas paraqitjes së provave, çështja u dorëzua në korrik të vitit 2022. Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, ku Mustafën u shpall fajtor dhe dënuar me 26 vjet burg.

Vendimi për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023, duke urdhëruar Mustafën të paguajë një shumë prej 207.000 eurosh si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat ai është shpallur fajtor.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.