Një grup ushtarësh italianë në Kosovë. Foto: Ryan C. Creel, Wikicommons

Ushtarët Italianë Vazhdojnë të Vdesin nga ‘Sindroma e Ballkanit’

Të paktën 300 ushtarë italianë mund të kenë vdekur prej kancerit të shkaktuar nga ekspozimi i uraniumit të varfëruar në luftërat e Kosovës dhe Bosnjës, ndërsa pranimi i kësaj prej autoriteteve italiane do të thoshte gjithashtu pranim të rrezikut për banorët e këtyre zonave.

Më shumë se 300 ushtarë italianë mund të kenë vdekur gjatë 15 viteve të fundit nga ekspozimi pa mbrojtje ndaj uraniumit të varfëruar gjatë misioneve në Bosnje, Kosovë, Afganistan dhe Irak, ndërsa 3,700 janë sëmurë për të njëjtën arsye.

NDËRLIDHUR

“Deri më sot, 331 ushtarë italianë kanë humbur jetën dhe 3764 të tjerë kanë zhvilluar kancer si pasojë e ekspozimit ndaj uraniumit të varfëruar”, tha Daniele Leggiero, një ish-pilot italian i cili tani është kryetar i shoqatës Osservatorio Militare [Observatori Ushtarak], që përfaqëson viktimat dhe të afërmit e tyre.

Leggiero tha se është e pamundur të dihet saktësisht se sa nga këta ushtarë kanë vdekur në mënyrë specifike nga pasojat e fushatave të bombardimeve të NATO-s në Kosovë dhe Bosnje, sepse ata kanë shërbyer gjithashtu edhe në vende të tjera.

“Pas shërbimit në Ballkan, shumë prej tyre janë dërguar edhe në Afganistan e Irak, ku është përdorur gjithashtu uranium i varfëruar,” shpjegoi Leggiero.

“Por ky problem u bë zyrtar vetëm pas rasteve të para të ushtarëve që po vdesin nga kanceri apo leuçemia në mesin e veteranëve të luftës në Bosnjë dhe Kosovë,” kujton ai.

“Sindroma e Ballkanit”

Rastet e para të ushtarëve të vdekur nga ajo që mediat italiane e quan “Sindroma e Ballkanit” janë regjistruar në mes të viteve 1999 dhe 2000.

Gjashtë ushtarë italianë që kishin marrë pjesë në misione në Bosnjë pas përfundimit të luftës atje, nga viti 1996 deri në vitin 1998, janë raportuar të kenë vdekur nga kanceri si pasojë e ekspozimit ndaj uraniumit të varfëruar.

Viktima e parë, tetari Salvatore Vaça, ishte vetëm 23 vjeç dhe kishte shërbyer në Bosnjë në vitin 1998 dhe 1999. Ai vdiq nga leukemia disa muaj pas kthimit në shtëpi, shkruan gazeta La Repubblica me bazë në Romë.

Uraniumi i varfëruar, D-38, është një nga nënproduktet e fituar nga procesi i përdorur për pasurimin e uraniumit natyral që të përdoret si lëndë djegëse në reaktorët bërthamorë.

Dendësia e tij e madhe e bën atë material të përsosur për prodhimin e ” tank të blinduar dhe plumba… për të depërtuar automjetet e blinduara të armikut”, shkruan në faqen e vet Departamenti Amerikan i Çështjeve të Veteranëve.

Përdorimi i D-38 në prodhimin e armëve paraqet një rrezik serioz për qeniet njerëzore, megjithatë.

“Ai mund të ekspozojnë njerëzit ndaj rrezatimit të jashtëm dhe të brendshëm, nga ku hyn në trup prej frymëmarrjes dhe gëlltitjes… duke shtuar rrezikun e kancerit,” tha Misioni i Programit të OKB për Mjedisin, që ka vepruar në Bosnje dhe Kosovë pas përfundimit të luftërave atje.

Ushtria amerikane filloi të përdorë D-38 në një shkallë të madhe gjatë luftës së parë të gjirit. NATO ka pranuar gjithashtu se predha që përmbanin uranium të varfëruar janë përdorur në Kosovë dhe Bosnje. Rreth 31,000 predha të tilla janë qëlluar në Kosovë dhe 11.000 në Bosnjë.

Ushtarët italianë u vendosën në atë zonë të Kosovës, më të bombarduar nga NATO, sipas OBSH, ku Leggiero thotë se ata po operonin pa trajnim special apo pajisje të veçanta.

“Ndërsa ushtarë nga vende të tjera kishin informacion në lidhje me rreziqet që kishin përballë dhe morën mbrojtje të përshtatshme, ushtarët italianë nuk dinin asgjë​​”, tha Leggiero.

Gjithçka ishte “OK”

Gjatë viteve, ushtarët italianë në Kosovë dhe Bosnjë konfirmuan se nuk kishin mbrojtje apo dijeni për rrezikun që u kanosej.

“Ne shihnim ushtarët amerikanë dhe pyesnim veten pse vinin vërdallë të veshur si astronautë… ata kishin pajisjet e duhura për ato materiale, ndërsa neve jo,” i tha Gianluca Danise, një ish-pilot italian, gazetës L’Arena me bazë në Verona përpara se të vdiste nga kanceri në dhjetor 2015.

“Ne punonim me duar, pa maska​​, në territore që ishin ndotur jashtëzakonisht nga uraniumi i varfëruar… Kur pyetëm eprorët tanë [pse ushtarët amerikanë ishin aq të pajisur] ata thanë: mos u shqetësoni, ata janë amerikanët, e ekzagjerojnë… çdo gjë është në rregull”, tha për mediat italiane në vitin 2014, Enrico Maria Laçetti, një punëtor nga Kryqi i Kuq, që u diagnostikua me kancer të mushkërive pas 10 vjetësh misione në ish-Jugosllavi.

Gjatë 15 viteve të fundit, autoritetet italiane kanë mohuar vazhdimisht çdo lidhje mes vdekjeve të ushtarëve dhe ekspozimit të tyre nga D-38 në ish-Jugosllavi.

Më 6 prill, ministrja italiane e mbrojtjes, Roberta Pinotti, i tha medias se “brenda dijenive të ministrisë, nuk ka problem me uraniumin e varfëruar”.

“Ne kemi pasur disa komisione shkencore që gjithnjë e kanë mohuar ekzistencën e një lidhjeje midis rasteve të njerëzve të sëmurë dhe përdorimit të armëve [me uranium të varfëruar] shtoi Pinotti.

Por aktivistët dhe përfaqësuesit e viktimave pretendon se qeveria italiane ka qenë në dijeni të rreziqeve dhe nuk arriti t’i mbrojë ushtarët e vet.

BIRN pyeti ministrinë italiane të mbrojtjes për koment mbi çështjen por nuk mori përgjigje.

“Qeveria italiane ka treguar një qëndrim amatoresk”, tha Alessandro Marescotti, president i Peacelink, një nga shoqatat e para italiane që ka denoncuar efektet e uraniumit të varfëruar gjatë luftës në Jugosllavi dhe që ka bërë fushatë për të detyruar qeverinë italiane të pranojë përgjegjësinë.

“Autoritetet italiane nuk kanë pranuar zyrtarisht ekzistencën e këtij problemi… ata na kanë akuzuar për alarm dhe kanë këmbëngul ta minimizimizojnë çështjen”, tha për BIRN Marescotti.

Qeveria italiane ka krijuar në fakt gjashtë komisione për të shqyrtuar këtë problem. Megjithatë, të gjithë e kanë kundërshtuar një lidhje midis ekspozimit ndaj D- 38dhe rasteve të kancerit në mesin e veteranëve italianë.

Disa italianë thonë se kjo nuk është çudi. “Në Itali kemi krijuar komisionet e hetimit kur nuk duam të zbulojmë të vërtetën,” komentoi me sarkazëm Leggiero.

Nicole Corritore, i cili punon në Osservatorio Balcani e Caucaso, [Observatorin e Ballkanit dhe të Kaukazit] dhe që e ka ndjekur çështjen e uraniumit të varfëruar që nga fillimi, argumenton se pranimi i realitetit do të ketë pasoja të rënda për autoritetet italiane.

“Demonstrimi i lidhjes midis përdorimit të uraniumit të varfëruar dhe vdekjes së qindra ushtarëvë italianë, do të hapë gjithashtu bisedën për efektin e uraniumit të varfëruar në popullsinë civile të ish-Jugosllavisë”, tha për BIRN Corritore.

“Kjo do të thoshte gjithashtu pranim se armët që përdornin D-38 , që vazhdojnë të përdoren aktualisht nga ushtria italiane në Sardenjë, kanë shkaktuar dëme në popullatën lokale, ” tha Corritore.

Qeveria italiane në vitin 2008 ngriti një fond prej 30 milionë eurosh për të siguruar kompensim financiar për ushtarët me kancer prej municioneve të bëra me uranium të varfëruar.

Por, Corritore vë në dukje se shumica e fondeve nuk janë përdorur deri tani.

Me qeverinë italiane që ende refuzon të pranojë se ushtarët e saj vdiqën nga uraniumi i varfëruar, e drejta e kompensimit është ende e diskutueshme dhe në duart e gjyqtarëve italianë, të cilët vendosin për rastet individuale të veteranëve që kanë paditur Ministrinë e Mbrojtjes.

Deri më tani, sipas Osservatorio Militare, gjyqtarët kanë njohur të drejtën e kompensimit për ish-ushtarët në 43 raste.

Megjithatë, në maj 2015, në rastin e një ushtari që kishte vdekur pas kryerjes së shërbimit në Kosovë, Gjykata e Apelit në Romë vendosi se ekziston “një lidhje e padiskutueshme mes ekspozimit ndaj uraniumit të varfëruar dhe kancerit”.

Angelo Fiore Tartaglia, një avokat që ka ndihmuar disa viktima me paditjen e Ministrisë së Mbrojtjes, tha se vendimi mund të përfaqësojë një pikë kthese për mijëra italianët që pretendojnë se janë dëmtuar nga uraniumi i varfëruar.

“Ky vendim do t’i japë fund përpjekjes së qeverisë për të fshehur të vërtetën,” tha Tartaglia pas vendimit.

Në fund të 2015, parlamenti italian gjithashtu votoi për të krijuar një komision të ri.

Por sërish, siç i tha kryetari i tij Giorgio Scanu [nga partia qeverisëse demokratike] gazetës L’Espresso me bazë në Romë, synimi nuk do të jetë të gjendet një lidhje mes ekspozimit ndaj D=38 dhe kancerit, por “të mbrohen ushtarët tanë duke mundësuar kompensimin e tyre pa nevojën e ekzistencës së kësaj lidhjeje”.

“Ne interesohemi për këtë problem dhe e dimë seriozitetin e kësaj situate. Do të donim që komisioni ynë të ishte i fundit për këtë çështje që ka zgjatur shumë,” tha Scanu.

18 Prill 2017 - 14:43

Rodolfo Toe, BIRN 18/04/2017 - 14:43
NDËRVEPRIMI0

Ushtarët Italianë Vazhdojnë të Vdesin nga 'Sindroma e Ballkanit'

by Kallxo
NA NDIQNI