Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni

Kushtetuesja i hap rrugë ratifikimit të marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i ka hapur rrugë të hënën ratifikimit të një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, duke thënë se ajo nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Vendimi i gjykatës shqiptare vjen pesë ditë pasi Dhoma e Ulët e Parlamentit italian e miratoi këtë marrëveshje.

Nëntorin e kaluar, kryeministri i Shqipërisë,Edi Rama, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e nënshkruan marrëveshjen sipas së cilës Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e këtij viti.

Por, Gjykata Kushtetuese e kishte pezulluar përkohësisht ratifikimin e mundshëm të marrëveshjes, pasi një grup prej 30 deputetësh të opozitës dorëzuan padi, duke kërkuar që ajo të deklarohej si jokushtetuese dhe të mos ratifikohej nga Kuvendi.

Opozita pretendon se protokolli i marrëveshjes e cenon sovranitetin i territorit të Shqipërisë. Në kërkesën e saj, opozita theksoi se “kjo nuk lidhet me hapësirën, por me sovranitetin e ushtrimit të autoritetit shtetëror në të gjithë territorin”, duke u bazuar te marrëveshja e nënshkruar, e cila parashikon që në dy vendet ku do të priten dhe strehohen emigrantët, do të zbatohet legjislacioni italian.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese gjeti se protokolli “nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë.”

Ndërkohë, në lidhje me pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë zbatimit të këtij protokolli, Gjykata tha se në dy zonat ku do të veprojë ky protokoll zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane, dhe se e drejta ndërkombëtare, që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit, është po ashtu e zbatueshme nga të dyja palët.

“Konstatojmë se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar,” thuhet në vendimin e Gjykatës.

Kreu i grupit të deputetëve të Partisë Demokratike në opozitë, Gazmend Bardhi, tha se vendimi nuk është befasi për ta dhe nguli këmbë se marrëveshja “cenon të drejtat e njeriut siç kanë deklaruar disa organizata prestigjioze ndërkombëtare”.

Dy ditë pasi u nënshkrua ajo nga Rama dhe Meloni, Amnesty International tha se marrëveshja është e “jashtëligjshme dhe e pazbatueshme”.

Elisa De Pieri, hulumtuese rajonale në Amnesty International, tha se njerëzit që shpëtohen nga autoritetet italiane, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe për këtë arsye nuk mund të dërgohen në një vend tjetër para se kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale të jenë shqyrtuar.

Çfarë parasheh marrëveshja?

Marrëveshja parasheh që emigrantët që do të kapen në Detin Mesme dhe të strehohen në Shqipëri dhe strehimin e tyre do ta financojë shteti italian.

Ajo po ashtu parasheh që Italia t’ia japë Shqipërisë 16.5 milionë euro paradhënie brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të protokollit. Këto të holla do të përdoren për të rimbursuar shpenzimet për shërbime të ndryshme, sipas dokumentit.

Gjithashtu, pala italiane duhet të hapë në një bankë të nivelit të dytë, një llogari rrjedhëse bankare të dedikuar ekskluzivisht për fondin e garancisë.

Ky protokoll do të jetë në fuqi për pesë vjet dhe mund të rinovohet edhe për pesë vjet të tjera.

Në dokumentin e publikuar nga Qeveria shqiptare nënvizohet se autoritetet italiane do të përballojnë çdo shpenzim të nevojshëm për akomodimin dhe trajtimin e emigrantëve, duke përfshirë ushqimin, kujdesin shëndetësor dhe çdo shërbim tjetër që do të vlerësohet i nevojshëm dhe duke u kujdesur që ky trajtim të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas së drejtës ndërkombëtare.

Italia, sipas marrëveshjes, do të financojë të gjitha shërbimet e kujdesit spitalor, por edhe të pajisjeve, sikurse automjetet dhe karburantet si dhe pagesat për avokatë. Ndërkaq, Shqipëria do të ofrojë lehtësira për personelin italian që do të punojë në Shqipëri, të cilët do të përjashtohen nga nevoja për pajisje me viza, leje të qëndrimit dhe kërkesa të tjera që kërkohen nga legjislacioni shqiptar për migracion.

Po ashtu marrëveshja parasheh edhe obligimet që ka Italia sa i përket ofrimit të sigurisë të qendrave të pritjes së emigrantëve, ndërkaq Shqipëria do të ofrojë siguri për emigrantët gjatë transportit të tyre jashtë këtyre qendrave./REL