Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti nga Italia: Ka ende probleme në kufirin me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropian (PES) që po mbahet në Romë të Italisë, ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.

Në një intervistë për Agjencinë e lajmeve italiane (AGI), kryeministri Kurti ka deklaruar se ka ende probleme në kufirin me Serbinë.

“Ka ende probleme në kufirin me Serbinë. Fatkeqësisht ata që u pasuruan me luftën janë kthyer në kriminelë dhe vazhdojnë të pasurohen me bitcoin, drogë dhe armë. Ata e mbulojnë biznesin e tyre me ide nacionaliste, por janë ende kriminelë. Ata flasin për nacionalizëm dhe patriotizëm, por në realitet kanë ide fashiste dhe lidhje me Vuçiqin dhe Putinin” – është shprehur kryeministri Kurti.

Kurti po ashtu ka folur për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian, se po bëjnë çmos që t’i afrohen BE-së.

Ai e kishte dorëzuar në Pragë letrën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, më 15.12.2022.

“Nuk jemi ende zyrtarisht kandidat për anëtarësim, por po bëjmë çmos që sa më shpejt t’i afrohemi Bashkimit Evropian” – ka thënë ai.

Me këtë rast, Kurti ka komentuar raportin e tij me kryeministren italiane Giorgia Meloni, të cilën tha se e kishte paragjykuar sa i përket ideologjive të saj politike.

“Duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën e kam konsideruar Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të djathtë, me fashizmin. Që kur është bërë kryeministre, kam vënë re marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me Biden dhe SHBA” – ka shtuar Kurti.

Kurti ka udhëtuar të shtunën për në Itali, më 02.03.2024, për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropian, kongres ky i përqendruar rreth zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit 2024.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti do të takohet me kryetarë të partive simotra anëtare të PES-it, me kandidatë të rinj, si dhe me anëtarë të sotëm të grupit të Parlamentit evropianë Socialistë & Demokratë (PES).